Këtë të hënë ka rinisur punën transporti publik në Tiranë, pas rreth katër muajsh pezullimi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shërbimi ka filluar këtë herë duke respektuar rregullat e protokollit të sigurisë, si pajisja me maskë e punonjësve dhe pasagjerëve, ruajtja e distancës dhe ajrosja e urbanëve gjatë gjithë kohës së udhëtimit.

Por numri i pakët i pasagjerëve në disa prej linjave të qytetit duket se ka lehtësuar ruajtjen e distancës fizike.

Megjithë frikën nga përhapja e koronavirusit qytetarët e vlerësuan rikthimin e funksionimit të transportit publik në Tiranë.

Qytetarë:

Kemi frikë, taksitë nuk i përballojmë, gjatë muajve të pezullimit të transportit urban kemi lëvizur në këmbë.

Qytetarë

Frika ekziston, gjithsesi duke zbatuar masat e sigurisë, ka njëfarë garancie. Në mungesë të urbanëve kam lëvizur me makina personale ose me taksi.

Edhe shoferët nga ana tjetër u shprehën të kënaqur me rikthimin në punë.


Jemi të kënaqur me rifillimin e punës. Pasi një numër i madh punonjësish jemi familjarë dhe me këtë punë mbajmë familjen. Dhe po bëjmë aq sa na takon. Në fund të ditës dezinfektojmë urbanët. Në bazë të protokollit, bëjmë pastrimin e sediljeve të autobusëve dhe dezinfektimin e plotë.Njerëzit pjesërisht janë të informuar, pjesa më e madhe është e ndërgjegjësuar dhe e dinë që duhet të mbajnë maskën sepse është për të mirën e tyre dhe të të gjithëve.

Sipas marrëveshjes mes operatorëve të transportit publik dhe bashkisë së Tiranës, udhëtarët do ta mbajnë vetë përgjegjësinë në rast të mosrespektimit të masave të sigurisë nga ana e tyre. Ndërsa kompanitë e transportit bënë më dije se për muajin korrik nuk do të ketë abone, por shitja e tyre do të fillojë normalisht nga muaji gusht e në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *