15 qytetarë u betuan përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës pasi morën shtetësinë shqiptare. Erion Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.
“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve dhe kombësive të ndryshme”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar tek energjia e madhe e Tiranës.
“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Edhe sikur mos të keni ndonjë talent të veçantë, si puna ime, mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, kur keni përvjetorin apo kur keni ditëlindjet e fëmijëve, një mënyre modeste për të thënë dhashë edhe unë një kontribut tek kjo energjia e madhe e Tiranës”, tha kryebashkiaku.
Erion Veliaj u kërkoi qytetarëve që u betuan si banorë të rinj të kryeqytetit të japin kontributin tyre për Tiranën.





