Tirana-Partizani finalja e Kupës, sot ndahet trofeu i Kupës së Federatës në basketboll për femra
Kupa e Federatës në basketboll për femra do të ndahet në një finale kryeqytetase mes Tiranës dhe Partizanit, një sfidë derbi që do të luhet sot në orën 15:30 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në Durrës.
Përballja më e fortë gjysmëfinale ishte ajo mes Partizanit dhe Flamurtarit, një duel shumë i balancuar që u mbyll 68 me 65 në favor të vajzave të kuqe nga kryeqyteti. Ishte një sfidë me dy tablo.
Pjesa e parë, pas dy periodave, u mbyll 37 me 30 në favor të vlonjateve. Më pas erdhi përmbysja e madhe e Partizanit. Dy periodat e fundit në total u mbyllën 38 me 28 në favor të tyre, çka bëri që e gjithë sfida të përfundonte me avantazhin +3 në favor të Partizanit.
Rivali i tyre në finale do të jetë Tirana, ekipi që mundi më lehtë Teutën 78 me 60. Durrsaket u përpoqën të qëndronin në lojë vetëm në pjesën e parë, mirëpo cilësia e vajzave bardheblu bëri diferencën në periodën e tretë dhe të katërt, kur u kompletua edhe shkëputja e rëndësishme e Tiranës që e mbylli duelin gjysmëfinal me 18 pikë avantazh kundër Teutës.
Tirana është fituese në fuqi e Kupës së Federatës, ndërsa Partizani e ka humbur në mënyrë dramatike këtë trofe në dy vitet e fundit. /vizionplus.tv




