Të rinjtë në Francë nuk dorëzohen, vijojnë protestat për kushtet në shkolla dhe universitete

Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë vijojnë të sfidojnë qeverinë. Këtë të martë të rinjtë bllokuan sërish rrugët pranë shkollave të tyre në Paris, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe përgjigje konkrete nga autoritetet.
Lëvizja që tashmë ka hyrë në javën e katërt, po merr përmasa më të gjera. Krahas nxënësve të shkollave të mesme, edhe një pjesë e studentëve nga universitetet u janë bashkuar tubimeve, duke shprehur pakënaqësinë ndaj një sistemi arsimor që, sipas tyre po përballet me probleme të thella.
Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu shkurtimet e shpenzimeve publike, të lidhura me krizën buxhetore që po kalon Franca.
Ndonëse Presidenti Macron e quajti protestën të dhunshme, situata aktuale përbën një sfidë të madhe për qeverinë franceze, e cila po përballet me kërkesat për më shumë investime në arsim, ndërsa njëkohësisht synon të kufizojë borxhin publik.
Protestat kanë rikthyer shqetësimin për një valë më të gjerë pakënaqësie sociale, në një vend si Franca ku shkëndija të tilla marrin përmasa kombëtare dhe shoqëohen me kaos apo përplasje masive. Tubimet kanë detyruar forcat e rendit të jenë më të kujdesshme në menaxhimin e situatës.
Ndërkohë, të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se gati 10 për qind e orëve mësimore në shkollat e mesme publike nuk mbulohen nga mësuesit.
Mungesa e personelit po shton shqetësimin e familjeve dhe po nxit gjithnjë e më shumë prindër me të ardhura të larta të zgjedhin arsimin privat në vend të atij publik.
Përballë kësaj situate, presioni ndaj qeverisë pritet të vijojë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet do t’u përgjigjen kërkesave të nxënësve me masa konkrete.




