Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku ka sqaruar konfliktin me kolegun Dash Sula, gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet e Europës. Ai tha se kjo ngjarje është e turpshme, ndërsa akuzon kolegun e tij se e ka sulmuar verbalisht.

 

“As në ’97-ën e tmerrshme kurrë nuk do e kisha imagjinuar që mund të gjendesha në situatë të ngjashme me atë që u ndodha sot. Unë kam marrë pjesë në një mbledhje të komisionit që drejtohet nga opozita nga kryetarja Jorida Tabaku, i ftuar nga kjo e fundit. Shkova të marr pjesë në mbledhje, u gjenda në sallë me një situatë surprizë. U ballafaqova me një ngjarje e cila më turpëron si qytetar i këtij vendi, si anëtar i PD, si deputet. Në një sulm të pakuptueshëm verbal që pastaj përfundoi me goditje fizike, një ish-kolegu im realizoi një skenë që turpëron çdo deputet të këtij parlamenti”, tha ai.

 

Ai e ka konsideruar si fyerje për këdo situatën e krijuar, ndërsa ka shprehur se ekziston vullneti për të heshtur opozitën, por megjithatë kjo nuk e justifikon sulmin ndaj tij.

 

“Unë e kuptoj se ka një vullnet për të heshtur opozitën, ka një aleancë për të heshtur siç ndodhi në seancën për rezolutën e Kosovës. Shqetësimi im është sesi mund të degradojë deri në këtë nivel jeta parlamentare. Kushdo duhet të ndihet i fyer nga kjo skenë pasojë e së cilës rashë viktimë unë”. shtoi ai.

 

Bllokimi i Komisioneve Parlamentare nuk ka kaluar pa përplasje as mes vetë demokratëve. Deputeti Dash Sula ka debatuar me kolegun demokrat, Kreshnik Çollaku, i cili radhitet mes mbështetësve të Lulzim Bashës.

 

Mes tyre nuk kanë munguar as fyerjet, ndërsa punonjës të Gardës kanë ndërhyrë në mënyrë që situata të mos agravonte edhe në konfrontim fizik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *