Të gjitha makinat e luksit që qarkullojnë në vend do të jenë objekt i hetimit nga administrata tatimore. Ky hetim lidhet me faktin se pronarët e tyre rezultojnë të jenë individë të paregjistruar në organet tatimore.
Administrata njofton se tashmë ka një sistem të ri tatimor, i cili ofron informacion në kohë reale për tatimpaguesit që kanë një mjet të tillë. Ky njoftim vjen pas marrëveshjes së realizuar edhe me drejtorinë e transportit rrugor.
Hetimi nënkupton një proces verifikimi të të ardhurave të individit, pasuritë e deklaruara si dhe burimin e pasurisë së tij.
Sipas të dhënave në vitin e fundit janë 400 mjete luksi të cilat janë në tregun vendas, por individët që i posedojnë nuk janë të deklaruar në tatime, as me deklaratën vjetorë të të ardhurave.
Një mjet luksi konsiderohet ai me një vlerë mbi 50 mijë euro.
Administrata tatimore bën thirrje që individët të zbatojnë ligjet në fuqi, pasi në të kundërt do të vendosë masa të sigurimit mbi mjetet dhe do të zbatojë procedurat e mbledhjes me forcë.
Gjithashtu tatimet bëjnë e apel që individët të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime./vizionplus.tv





