E premte, 9 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Tani i Ruzhdiut” i pikasi autorët, tentoi t’i shpëtonte plumbave, por nuk mundi! Si ndodhi vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë

Vrasja e 44-vjeçarit Artan Myrtaj në Sarandë vijon të mbetet pa autor. Një ditë pas ekzekutimit, në zonën e njohur si “ish-Agjencia”, policia e Vlorës nuk ka ende një identitet konkret për personat që qëlluan për vdekje Myrtajn.

Në vendngjarje janë sekuestruar prova materiale, ndërsa janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë që kanë fiksuar lëvizjet para dhe pas krimit. Megjithatë, hetimet vijojnë pa një të dyshuar konkret.

Reklamë

Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona, mes tyre dëshmitarë të ngjarjes, kalimtarë që ndodheshin në zonë në momentin e krimit, si dhe familjarë të viktimës. Deri tani, dëshmitë e tyre nuk kanë sjellë të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e autorëve.

Pamjet filmike kanë dokumentuar dinamikën e ngjarjes. Myrtaj shfaqet duke mbërritur në një prej lokaleve të zonës. Ai shihet duke konsumuar kafe derisa pikas dy persona me skafandër që i vijnë përballë.

Reklamë

Sipas pamjeve, 44-vjeçari tenton të largohet me vrap në drejtim të rrugës “Vangjel Pandi”, por ndiqet nga dy personat, të cilët qëllojnë me armë zjarri në drejtim të tij.

Si pasojë e plumbave Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, humb jetën në vendngjarje, ndërsa autorët largohen nga vend ii ngjarjes.

Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të organizuar dhe se autorët mund të kenë pasur njohuri të detajuara mbi lëvizjet e viktimës dhe zonën ku ndodhi krimi. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, ekzekutorët mund të jenë larguar drejt periferisë së Sarandës, në aksin që lidh qytetin me Gjirokastrën, duke humbur më pas gjurmët.

Përveç autorëve që kanë kryer ekzekutimin, hetuesit po verifikojnë edhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë, të cilët mund të kenë ndjekur lëvizjet e viktimës apo të kenë siguruar informacione mbi të.

Pista kryesore e hetimit lidhet me një ngjarje të ndodhur në korrik 2025, ku pas një konflikti për motive pronësie mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame, nga Kamza. Artan Myrtaj ishte arrestuar më 18 korrik 2025, nën dyshimin për përkrahje të autorit të kësaj ngjarjeje.

Policia ka marrë në pyetje persona të plagosur dhe individë të lidhur me konfliktin e vitit të kaluar, ndërsa të dhënat e mbledhura po analizohen në kuadër të hetimit.

Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili u qëllua me një plumb në shpinë. Ai është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.