Samiti trepalësh në Ankara mes presidentëve të Iranit, Turqisë dhe Rusisë përfundoi me zotimin e tre liderëve për të përshpejtuar përpjekjet, në mënyrë që të sigurohet paqe ne Siri. Në një konferencë të përbashkët për mediat, presidenti turk Erdogan deklaroi se integriteti territorial i Sirisë varet nga mbajtja e distancës së njëjtë ndaj të gjitha grupeve terroriste.

 

 “Qëllimi kryesor i këtij takimi trepalësh është të rindërtojë një Siri ku mbizotëron paqja. Turqia po përmbush përgjegjësitë e saj me kujdesin e nevojshëm në zonat e pushtuara në Siri. Turqia nuk do të ndalet derisa të sigurohen të gjitha rajonet nën kontrollin e komunistëve kurdë, përfshirë Munbixhin. Ne kurrë nuk do të lejojmë që Siria apo rajoni ynë të sulmohen nga disa grupe terroriste.”

 

Erdoğan poashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë një zgjidhje politike për krizën siriane. Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin tha se në takim janë shkëmbyer mendime rreth normalizimit të përhershëm të gjendjes në Siri.

 

 “Vendimi i përbashkët i Turqisë, Rusisë dhe Iranit është në favor të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë. Mund të them se dhuna në Siri është zvogëluar në masë të madhe falë bashkëpunimit Rusi-Turqi-Iran. Ne do të hedhim hapa konkretë për dërgim emergjent të ndihmave humanitare në Siri “.

 

Nga ana tjetër, presidenti Iranian Hassan Rouhani deklaroi se askush nuk ka te drejte te marre vendime per Sirine përveç kombit te saj.

 

“Zhvillimet në Afrin mund të jenë të dobishme vetëm nëse nuk shkelin integritetin territorial të Sirisë dhe kontrolli i këtyre zonave duhet t’i dorëzohet ushtrisë siriane. Kriza siriane nuk mund të përfundojë ushtarakisht por duhet të zgjidhet politikisht. Ne të gjithë duhet të ndihmojmë për ta çuar luftën drejt fundit.”

Lufta në Siri ka nisur më 2011. Që atëherë janë vrarë mbi 340 mijë persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *