Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli zhvillojnë nga sot një vizitë dyditore në Selanik.

 

Ata marrin pjesë ne takimin e tretë mes Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Bisedimet do të zhvillohen të premten e ne fokus do të jetë bashkëpunimi ndërkufitar mes katër vendeve.

 

Sipas axhendës, të premten në mëngjes fillon takimi mes ministrave të 4 shteteve. Paralelisht do të zhvillohen dhe diskutime të veçanta kokë më kokë mes homologëve të fushave të ndryshme.

 

Takim i rëndësishëm mbetet ai mes Bushatit dhe Kotzias  për ecurinë e negociatave teknike mbi marrëveshjen e detit. Një ditë më parë Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias deklaroi në një emision televiziv se marrëveshja do të mbyllet brenda një muaji.

 

Takim tjetër i rëndësishëm pritet të jetë dhe ai mes kryediplomatëve Kotzias e Dimitrov. Në thelb të bisedës do të jetë marrëveshja për çështjen e emrit të Maqedonisë.

 

Greqia këmbëngul për rishikimin e Kushtetutës, gjë të cilën Maqedonia e kundërshton. “Ne jemi, për herë të parë, kaq afër një marrëveshjeje”, tha ministri i jashtëm grek në një intervistë për mediat, duke ritheksuar nevojën për rishikimin e Kushtetutës.

 

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev theksoi se vendi i tij nuk do ta shqyrtojë ndryshimin kushtetues tani, por pasi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

 

Takimi i mëparshëm mes katër vendeve u zhvillua gjashtë muaj më parë në Selanik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *