Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka reguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për të miratuar projektligjin për amnistinë fiskale, të cilën e konsideron “një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave”.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Tabaku akuzon qeverinë se vazhdon të vjedhë taksat e shqiptarëve dhe ndjekin rrugën e shkatërrimit. Ajo shprehet se është vjedhur aq shumë, saqë nuk ka as para në buxhet për paketën ekonomike në kohën e pandemisë.

“Amnistia Fiskale një Lavatriçe e Madhe e Pastrimit të Parave! Gënjeshtarët nuk pyesin në jemi në mes të pandemisë, nëse bizneset janë të mbyllura, nëse shqiptarët janë të papunë dhe u mungon e ardhura bazë. Madje gënjeshtarët nuk e kanë problem edhe kur i premtojnë FMN-së se do ta rishohin strategjinë e Amnistisë Fiskale, siç edhe tanimë FMN ka publikuar në raportin e saj. Jo! Ata vazhdojnë të vjedhin taksat e shqiptarëve, vazhdojnë të ndjekin rrugën e shkatërrimit duke ligjëruar Lavatriçen e Madhe të pastrimit të parave. Për 7 vjet me radhë miqtë e Ramës, oligarkët, kanë vjedhur pasuritë publike dhe private të shqiptarëve. Aq shumë është vjedhur saqë nuk kishin as parà në buxhet për qentë e shpëtimit (kur ra tërmeti) dhe as fonde për paketën ekonomike në kohën e pandemisë. Dhe tani, mes gjithë kësaj batërdie dhe hajdutërie, si një gënjeshtar tipik që pëlqen të luajë me liritë ndërsa vjedh paratë e shqiptarëve merr një nisëm tjetër.”

Sipas saj, amnistia fiskale bëhet për të inkriminuarit pikërisht atëherë kur vendi është i përfshirë në listën gri, ndërsa thekson se për 7 vjet me radhë, kryeministri Edi Rama ka “vrarë ekonominë ngadalë, ditë pas dite duke rrjepur pak e nga pak lëkurën e shqiptarëve”.

“Gënjeshtarët, duan të bëjnë Amnistinë Fiskale për të inkriminuarit pikërisht atëherë kur vendi është i përfshirë në listën gri të MONEYVAL. Kur BE ka përcaktuar që një nga parakushtet e Shqipërisë është edhe dalja nga kjo listë dhe lufta ndaj Pastrimit të Parave. Pak rëndësi ka për gënjeshtarët e ardhmja apo xhepi i shqiptarëve. Rëndësi ka që i gjithë pushteti i fituar përmes blerjes së votave, përmes të inkriminuarve që kërkojnë pjesën e tyre të vazhdojë të jetojë me çdo kusht. Kështu në 7 vjet me radhë, Rama ka vrarë ekonominë ngadalë, ditë pas dite duke rrjepur pak e nga pak lëkurën e shqiptarëve. Duke i gënjyer edhe duke i kërcënuar. Me shpresën se kështu do të jetojë pafundësisht. Shqiptarët nuk e i vlerësojnë ata që përdorin çdo marifet për të futur duart në xhepin e tyre të varfëruar për t’i vjedhur dhe ato pak që kanë kursyer.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *