Shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia mbi të cilat bazon dhe kundërshtimin e saj ndaj aplikimeve të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, janë legjitime, tha të dielën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Finlandë.

 

“Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportin e armëve”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinisto.

 

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’iu bashkuar aleancës perëndimore të mbrojtjes, muajin e kaluar, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë. Por ata janë përballur me kundërshtinë e Turqisë, e cila i ka akuzuar për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.

 

Zoti Stoltenberg tha se Turqia ishte një aleat kyç për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Detin e Zi, mes Evropës dhe Lindjes së Mesme, dhe përmendi mbështetjen që Ankaraja i ka dhënë Ukrainës që prej momentit kur Rusia dërgoi trupa atje, më 24 shkurt. Moska i quan veprimet e saj në Ukrainë “operacion special ushtarak”.

 

“Duhet të kujtojmë dhe të kuptojmë se asnjë aleat i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia”, tha zoti Stoltenberg,

Si ai (Stoltenberg) dhe zoti Niinisto thanë se bisedimet me Turqinë do të vazhdojnë, por nuk ofruan asnjë tregues për përparim në negociata.

 

“Takimi i aleancës në Madrid nuk ishte një afat përfundimtar”, tha zoti Stoltenberg, duke iu referuar takimit të nivelit të lartë të NATO-s që mbahet në Madrid, në fund të muajit qershor./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *