Ushtria izraelite po vijon me të gjitha forcat sulmet ndaj rripit të Gazës, kryesisht në pjesën veriore, pa kursyer infrastrukturën civile, shkollat dhe spitalet e duke lënë mbi 20 viktima në 24 orët e fundit.

 

Përplasjet në afërsi të qendrës spitalore më të madhe në qytetin e Gazës e kanë lënë strukturën Al shifa pa energji elektrike. Janë rreth 1500 pacientë që marrin mjekim në këtë spital, rreth 1500 staf mjekësor dhe mbi 20 mijë të tjerë që strehohen.

 

Ushtria ka kërkuar që spitali të evakuohet në mënyrë që të sulmojnë forcat e Hamasit për të cilat Izraeli pretendon se fshihen dhe kanë qendrat e komandës aty. Pretendime të cila Hamasi i ka mohuar, ndërsa mjekët thonë se zhvendosja do të çonte drejt vdekjes pacientët e plagosur.

 

Për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, 2 foshnja prematurë kanë ndërruar jetë dhe 37 të tjera ndodhen në rrezik në Al Shifa.

 

Organizata botërore e Shëndetësisë deklaroi të shtunën  vonë se ka humbur kontaktet me stafin e saj në spital, ndërsa ngriti shqetësimin për të gjithë të bllokuarit aty.

 

Në përditësimin e fundit ushtria izraelite ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim me kërkesë të spitalit.

ZËDHËNËS I USHTRISË

 “Stafi i spitalit Shifa ka kërkuar që nesër të ndihmojmë foshnjat në repartin e pediatrisë për të shkuar në një spital më të sigurt. Ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme”

 

Megjithëse mediat izraelite raportojnë për përparim drejt një marrëveshje të mundshme, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu vijon të kundërshtojë thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim.

 

Ai këmbëngul se asnjë gjë e tillë do të ndodhet vetëm kur të lirohen të gjithë pengjet e marrë nga Hamasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *