Goditet klani shqiptar i drogës, arrestime në Shqipëri dhe Itali, organizata trafikoi 1.3 tonë kokainë
Arrestohen 21 persona për trafik ndërkombëtar kokaine. Operacioni mes SPAK dhe prokurorisë së Brescias arriti të provojë se në vitet 2020-2025 janë transportuar drejt Italisë 1.3 tonë kokainë.
Një ndër personat e kapur në Shqipëri është edhe oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, për të cilin prokuroria speciale ka dyshime se ka dekonspiruar operacionet policore duke u vënë nën shërbim të grupeve kriminale.
Në total, janë lëshuar 24 fletëarreste nga Gjykata e Brescias në Itali e prej tyre janë ekzektuar 10, megjithatë kërkimet janë shtrirë krahas Shqipërisë edhe në Francë dhe Britaninë e Madhe.
Hetuesit kanë provuar se grupi kishte baza të forta në Shqipëri, të cilat kryenin trafik kokaine drejt Italisë.
Organizata furnizohej nga Amerika Latina, ndërsa destiancion final ishin portet e Europës.
Mediat italiane shkruajnë se transporti kryhej përmes kamionëve dhe autobuzëve, ndërsa të shpeshta ishin rastet kur shoferët ishin në padije të plotë të krimit që po bënin.
Megjithatë nuk përjashtohen rastet e bashkëpunimit të drejtuesve të automjeteve me grupet kriminale. Sapo droga trafikohej në Itali ishin grupet shqiptare ato që bënin shpërndarjen në terren të lëndëve narkotike.
Nga operacioni u sekuestruan 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, që në treg do të kishin vlerë rreth 12 milionë euro.




