E hënë, 5 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Sot, 25 vjet nga zgjedhjet e kontestuara/ Përplasja e parë e Berishës me SHBA-të

Kanë kaluar 25 vjet nga zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, por ende sot për shumëkënd kjo datë mbetet simbol i një procesi zgjedhor të manipuluar

 

Reklamë

Në 26 maj Partia Demokratike fitoi 122 deputetë; Partia Socialiste dhjetë; Partia Republikane, tre vende;  Partia e Ballit Kombëtar dy vende dhe 3 PBDNJ. Por procesi u kritikua ashpër nga faktori ndërkombëtar.

 

Asokohe sistemi zgjedhor ishte miks mazhoritar plus proporcional. Odihr në raportin final kritikoi presidentin Berisha që bëri ndarjen e zonave zgjedhore vetëm 45 ditë para zgjedhjeve pa konsultime me opozitën e pa transparencë.

 

Odihr kritikoi komisionin e ngritur për ish-bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit; komision i cili u ndaloi kandidimin në zgjedhje rreth 200 politikanëve.

 

Opozitës iu ndalua të zhvillonte mitingje në qytetet e mëdha përfshi edhe Tiranën, policia intimidoi opozitën e presidenti Berisha ishte kandidat në listën proporcionale në kundërshtim me kuadrin ligjor.

 

Odihr vërejti se në 26 maj pa qytetarë që plotësonin disa fletë votimit, votimi familjar ishte një gjë e zakonshme, policia kishte prezencë të shtuar brenda dhe jashtë qendrave të votimit e në disa raste policët morën pjesë aktive në numërimin e votave.

 

Komisionerët socialistë u tërhoqën nga procesi zgjedhor, i cili shënoi probleme edhe më të rënda.

 

Ndërsa në 28 maj, policia dhunoi drejtuesit dhe militantët socialistë që protestuan në sheshin “Skënderbej”.

 

Osbe-odihr nuk ishin të vetmit kritikë të zgjedhjeve të 26 majit e Sali Berishës. Këto zgjedhje u bënë shkak për përplasjen më të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Sali Berisha i cili deri në atë kohë kishte pasur mbështetjen e SHBA.

 

Instituti ndërkombëtar republikan u pozicionua kundër Partisë Demokratike duke deklaruar se mungesa në rritje e tolerancës së Partisë Demokratike ndaj kundërshtarëve politikë ishte shkaku i një mjedisi negativ që mbizotëroi në zgjedhje. Kritikat e institutit ndërkombëtar republikan shkonin në të njëjtën linjë me Odihr.

 

Por, deklarata më e ashpër erdhi nga departamenti amerikan i shtetit, i cili në 1 qershor të vitit 1996 deklaroi se “zgjedhjet ishin hap i madh prapa” nga votimet e mëparshme. SHBA kërkoi që në 40 zona zgjedhjet të përsëriteshin, por kërkesa u refuzua nga Sali Berisha. Disa nga garat elektorale të kryheshin përsëri. Por në 2 qershor zgjedhjet u zhvilluan vetëm në 9 zona ku kandidatët nuk kishin arritur të merrnin 50+1% të votave.

 

Nënsekretari i Shtetit Timothy Wirth kërkoi asokohe të takohej me Berishën, por presidenti nuk pranoi. Kongresmeni i Shteteve të Bashkuara, Elliot Engel, kryetar i grupit shqiptar në Kongres u mundua të bënte një vizitë, por Berisha nuk pranoi të priste as atë.

Kështu 26 maji shkaktoi përplasjen e parë të fortë mes Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë