“Skuadra e PS, fituese në 11 maj”, Rama: Drejtësisë i dhamë frymë, tani të çojmë vendin në BE
Skuadra e zgjedhur socialiste për garën e 11 majit është skuadra gjithëpërfshirëse për kryesocialistin Edi Rama.
Rama: Një skuadër që sot u jep të gjithëve mundësinë që të zgjedhin, kemi një skuadër ku të gjitha moshat, të dyja gjinitë patjetër po në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat, kanë mundësi të gjejnë veten dhe të votojnë për veten. Ashtu sikundër si asnjëherë më parë PS ka një skuadër ku edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësuar.
Kreu i qeverisë bëri bashkë deputete e kandidatë të qarkut Tiranë, pasi ai beson se këto zgjedhje kanë një rëndësi të vecantë.
Rama: Ne nuk mund ta humbim këtë tren, ne nuk duhet ta humbim këtë tren dhe ne nuk do ta humbim këtë tren. Është sot, duke parë të gjitha këto ndryshime tektonike që sapo kanë filluar në gjithë botën, është ekzistenciale që ne të jemi brenda në BE dhe këtu ka një punë për të bërë, këtu ka një diskutim për të bërë me njerëzit.
Sipas Ramës, Partia Socialiste është e vetmja forcë që i dha frymë drejtësisë.
Rama: Me vetëdijen e plotë që pa këto kosto ky proces është i parealizueshëm dhe përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani.
Me argumentin se Shqipëria do të bëhet si Evropa, Rama u kërkoi të vetëve të korrin fitoren e 10 radhazi në 11 maj.
Rama: Duke filluar nga Tirana ku qielli duhet të jetë kufiri, qielli. Llogaritë aritmetike nuk vlejnë në këto zgjedhje, në këto zgjedhje vlen një llogari tjetër. Llogaria e shqiptarëve me historinë e më të shkuarën e në të ardhmen.
Kryesocialisti siguroi se fokusi tek BE-ja kthehet tashmë në çështje themelore për fushatën e ardhshme elektorale. Duke thumbuar opozitën dha një tjetër mesazh.
Rama: Edhe ballistët e kanë mundësinë që t’i shmangen rënies në kënetë./vizionplus.tv




