Dy javë më parë, Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njoftuan se sektori ujësjellës-kanalizime do të reformohet sërish.
Por reforma e fundit e kryer në këtë sektor është jo më larg se 3 vite më parë, kur qeveria vendosi krijimin e 12 shoqërive rajonale, ku 51% të aksioneve i zotëron Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa 49% bashkitë.
Për njohës të fushës, reforma kaq të shpeshta në sektor nuk janë zgjidhje, aq më tepër përqendrimi i shërbimit në dorë të qeverisë.
“Nëse qeveria merr çdo shërbim, ujësjellësin, menaxhimin e mbetjeve, etj. sepse pushteti vendor nuk i menaxhon dot, nuk është kjo zgjidhja. Duhet të mendosh si të rregullosh pushtetin vendor. Hajde të gjejmë një zgjidhje t’i forcojmë, jo të gjejmë një zgjidhje t’ua heqim këto shërbime dhe funksione, sepse do të dobësohen shumë dhe do të humbasin besimin te qytetarët” shprehet Agron Haxhimali,
Sektori i ujësjellës-kanalizime, sugjerojnë ekspertët, mund të dalë nga kriza vetëm nëse orientohet nga modeli i biznesit.
“Duhet të ndërtohen këto ndërmarrje, këto sh.a. Nëse ato nuk funksionojnë të orientuara nga biznesi, do të vazhdojnë të mbeten problematike, sepse ecin me idenë që ‘ne jemi publikë, kur nuk kemi para ne, na jep qeveria. Kur nuk ka qeveria, marrim hua’. Duhet të ndryshojë mentaliteti, kultura se si duhet të menaxhohen këto kompani. Ka nevojë të financohet sektori në mënyrë strategjike. Qeveria duhet të dedikojë një buxhet strategjik për këtë sektor, që brenda 4-vjeçarit, të 61 bashkitë e vendit duhet ta mbyllin këtë kapitull. Ka nevojë edhe për digjitalizim të sektorit; jemi ende në kushte manuale, në matje, në infrastrukturë. Nuk je në gjendje sot të kontrollosh ujin që çon nëpër familje; ke ujë pa të ardhura. Nuk je në gjendje ta tarifosh. Në rastin më të mirë është paaftësi, në rastin më të keq është korrupsion.”
Pavarësisht reformimit të nisur në nëntor të vitit 2022, problemet në shoqëritë ujësjellës-kanalizime mbetën.
As përqendrimi i shumicës së aksioneve në dorën e qeverisë nuk dha zgjidhje, as rritja e tarifës së ujit, e aplikuar nga thuajse të gjitha shoqëritë e reja të krijuara.
Edhe gjatë vitit 2024, sipas Entit Rregullator të Ujit, niveli i ujit pa të ardhura ishte në nivele shqetësuese, mbi 60%. Sërish pati ankesa për faturime aforfe, ndërsa numri i punonjësve u rrit më tej, e në krah të kundërt, treguesi i efikasitetit të stafit shënoi vetëm një përmirësim të lehtë.
/vizionplus.tv





