Shtohen tensionet në Veri të Kosovës, sulmohen gjatë natës efektivët e policisë

Disa policë në veri të Kosovës janë sulmuar në orët e para të mëngjesit, teksa persona të paidentifikuar kanë hedhur lëndë shpërthyese drejt tyre.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 2 e 20 minuta në Mitrovicën e Veriut pranë Qendrës së Kontrollit Teknik të Automjeteve.
Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara ditët e fundit për djegie të makinave me targa RKS në veri.
Të shtunën në mbrëmje, një person është vënë në pranga, nën akuzën “pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e ka cilësuar arrestimin si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe ka paralajmëruar se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të ketë “reagim nga serbët”.
Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç. Ai ka bërë fajtor qeverinë e Prishtinës për këtë ngjarje.
“Kurti nuk dëshiron paqe, Kurti nuk dëshiron dialog. Prandaj jemi në prag të një krize të re që Kurti dëshiron ta shkaktojë përsëri. Është mënyra e tyre për të rrezikuar procesin e dialogut me probleme në terren, arrestime, ngacmime, kërcënime ndaj sigurisë së serbëve në Kosovë dhe Metohi.”
Edhe ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Sipas tij qeveria e Kosovës synon ta destabilizojë situatën dhe t’i shmanget detyrimeve që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit.




