Në zemër të Tiranës, “Shtëpia me Gjethe”, ish-godina e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit, po përjeton një rritje të ndjeshme të vizitorëve këtë verë.
Turistë nga e gjithë bota ndalojnë për të zbuluar një nga pjesët më të errëta, por më tërheqëse të së shkuarës shqiptare.
Aparaturat e përgjimit, dosjet e spiunazhit dhe dhomat e hetimit që flasin ende me heshtjen e tyre.
Këtë e dëshmojnë edhe dy vizitorë e shumtë që takuam në muze. Të dy ndanë për përshtypjet e tyre mbi muzeun dhe historinë që ajo mbart.
“Kam vizituar shumë muze për komunizmin në Europën Lindore, por ky ka një ndjesi shumë intime. Të ndodhesh në një ndërtesë që ka qenë qendër reale përgjimesh është diçka që të fut frikë, por edhe respekt”, tha një turiste gjermane.
“Në Turqi kemi pasur histori të ngjashme me kontrollin e fjalës dhe frikën, ndaj ky vend më ngacmon emocionalisht”, tha një turist turk.
Etleva Demollari, drejtore e muzeut, tregon se fluksi këtë sezon ka qenë i lartë, me një interes të madh nga vizitorë të huaj, të cilët kërkojnë të kuptojnë më shumë rreth periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Muzeu është bërë një pikë referimi për ata që duan të kuptojnë se si funksiononte kontrolli totalitar dhe si ndikon ende në memorien kolektive. Kemi pasur rritje të ndjeshme të vizitorëve nga vendet gjermano-folëse, por edhe nga rajone si Turqia dhe Lindja e Mesme”, tha Demollari.
Vizita në “Shtëpinë me Gjethe” nuk është vetëm një udhëtim në histori, por edhe një reflektim mbi lirinë dhe çmimin e saj. Në një sezon ku kultura dhe turizmi bashkohen, ky muze mbetet një ndalesë e rëndësishme e turistëve që kërkojnë më shumë sesa plazhe dhe peizazhet e Shqipërisë./vizionplus.tv





