Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi kanë zyrtarizuar aleancën për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Të dyja partitë janë kujdesur që marrëveshja e firmosur nga Basha e Kryemadhi të saktësojë se PD e LSI janë pjesë e të njëjtit koalicion dhe gara me dy lista është vetëm taktike për maksimalizimin e votave, raport Vizion Plus.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Koalicioni ynë, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka bashkuar të gjitha forcat për të garantuar që 25 prilli të jetë dita e ndryshimit.”

 

Marrëveshja përmban 13 pika të cilat reflektojnë programin e PD dhe LSI; e slogani i fushatës është ndryshuar për të përfaqësuar të dyja partitë e do të jetë “Shqipëria, shtëpia që fiton”.

 

“Tani ka ardhur çasti të bashkohemi, tani ka ardhur çasti të fitojmë së bashku për Shqipërinë, për familjet tuaja, për çdo shqiptar. Të shkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, fshat më fshat, qytet më qytet, dhe të garantojmë fitoren e 25 Prillit, fitoren e zgjedhjeve me anë të së cilës do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë familjet tuaja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë.”

 

Nga ana e saj kryetarja e LSI ka garantuar se PD e LSI do të jenë së bashku edhe pas 25 prillit.

 

MONIKA KRYEMADHI

KRYETARE E LSI

“Dua të garantoj të gjithë shqiptarët që ky është një partnership i ndërtuar për të zgjatur, jo vetëm gjatë fushatës elektorale, por edhe në qeverisjen e re të LSI me Partinë Demokratike dhe me z. Basha duke drejtuar të gjithë frontin opozitar në zgjedhjet e 25 prillit.”

 

Në marrëveshje specifikohet se ndarja e posteve nëse opozita fiton zgjedhjet do të bëhet në bazë të rezultatit zgjedhor. Por përveç kësaj marrëveshje publike, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi deri të hënën e ardhshme duhet të mbyllin bisedimet se në cilat qarqe kandidatët e LSI do të futen në listën e PD si taktikë për të maksimalizuar mundësitë që votat të përkthehen në mandate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *