Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka denoncuar situatën në shkollën “Emin Duraku”, sipas së cilës është shndërruar në një vatër të rrezikshme të pandemisë Covid-19.

Vokshi deklaroi se 8 mësues kanë rezultuar pozitivë me Covid dhe 20 mësues janë karantinuar. Për gjendjen në shkolla, ish-deputetja fajëson qeverinë, me argumentin se nuk ka marrë asnjë masë, duke shtuar se fsheh numrin e të infektuarve.

Ndër të tjera, ajo vuri në dukje se shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjieno-sanitare.

“Informacione shqetësuese vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Partinë Demokratike. Numri i rasteve të mësuesve dhe të nxënësve që janë infektuar me virusin Covid-19 është në rritje eksponenciale. Ajo çka i frigoheshim dhe kishim paralajmëruar ne si Parti Demokratike, shumë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po ndodh. Shkollat po shndërrohen në vatra të rrezikshme të përhapjes së përhapjes së Covid -19. Situata është krejt jashtë kontrollit dhe qeveria duket se e ka lënë atë në rënie të lirë dhe nuk po merr asnjë masë. Shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjieno sanitare, janë pa ujë të rrjedhshëm, janë pa sapun, mësuesit janë të lodhur, janë të rraskapitur, janë të keqtrajtuar, janë të shfrytëzuar me dhjetëra orë  të papaguar në javë, pavarësisht se ato sikurse edhe mjekët janë në vijën e parë të betejës me virusin Covid-19 duke rrezikuar çdo orë mësimore shëndetin dhe jetën e tyre.”

Për Vokshin, qeveria duhet të reagojë sot sepse kostoja sociale dhe kostoja humane mund të jetë shumë e madhe nesër dhe mund të jetë e pariparueshme.

“Unë jam sot para shkollës “Emin Duraku”, njërës prej shkollave që është shndërruar në një vatër të rrezikshme  të pandemisë Covid-19. Nga informacionet që kemi marrë rezulton që janë 8 mësues kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe 20 mësues të karantinuar. Por çfarë ka ndodhur? Asnjë njoftim i bërë nga drejtoria e shkollës për prindërit e nxënësve, në mënyrë që prindërit vetë, përtej masave që merr shkolla, përtej masave që merr qeveria, të mund të marrë masat e duhura për të siguruar mirëqënien dhe shëndetin e fëmijëve të tyre. Pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme nga ana e prindërve, nga ana e Këshillit të Prindërve, drejtoria ka refuzuar që t’u japë në vijimësi informacion për mësuesit që rezultonin pozitivë në “Shkollën Emin Duraku”. Për PD, jeta dhe shëndeti i çdo mësuesi, jeta dhe shëndeti i çdo nxënësi është i shenjtë, ndaj jam sot këtu për të përsëritur kërkesën e PD që qeveria dhe Edi Rama të zbatojnë menjëherë të paktën për shkollat, pikën 2 të planit prej 5 pikash të rimëkëmbjes së vendit nga kriza.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *