Subscribe

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim përfaqësues të banorëve të “5 Majit”.

 

Presidenti bën me dije se është njohur nga afër me situatën, ndërsa e cilëson atë anti-kushtetuese. Mes të tjerash, Meta shton se banorët janë shprehur të hapur ndaj zhvillimit urban dhe përmirësimit të infrastrukturës së Tiranës, por thekson se ato nuk mund të braktisen.

 

“Prita sot, me kërkesën e tyre, përfaqësues të banorëve protestues të zonave të 5 Majit, Laprakës dhe Paskuqanit në kryeqytet. Më informuan në detaje lidhur situatën e dhembshme dhe antikushtetuese që po ndodh me shpronësimin arbitrar të banesave dhe pronave të tyre dhe me faktin e mungesës së dialogut dhe dëgjimit të kërkesave të tyre legjitime nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Banorët më deklaruan se janë të hapur ndaj zhvillimit urban dhe përmirësimit të infrastrukturës së Tiranës, por ata nuk mund të braktisen dhe të lejojnë që interesat okulte të shkelin të drejtën e tyre jetike pronësore duke u shkatërruar pronat, pa kontrata dhe garanci të rregullt ligjore. Duke vlerësuar shqetësimet e tyre, i garantova se do të bëj gjithçka që zëri i tyre të dëgjohet me ndjeshmërinë më të madhe njerëzore dhe zyrtare, me të gjithë mbështetjen time të plotë institucionale, për të legjitimuar kërkesat e tyre që meritojnë të marrin përgjigjen e duhur nga organet përkatëse administrative e ligjore. Beteja demokratike për një shoqëri të drejtë dhe mos lejimin e kapjes së shtetit ka nevojë për ndërgjegjësimin e opinionit, zbatimin e drejtë të ligjit dhe unifikimin e të gjithë faktorëve të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zhvillim e prosperitet.”, u shpreh Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *