Liderët e BE mblidhen në Dublin, diskutohet rreziku nga Inteligjenca Artificiale, lufta në Ukrainë dhe buxheti i Unionit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur këtë të premte në Dublin, në samitin e parë të posaçëm për inteligjencën artificiale, ku në fokus është forcimi i pozicionit të Evropës përballë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në këtë sektor strategjik.
Diskutimet përqendrohen te mënyrat se si blloku mund të rrisë financimet, të kapërcejë pengesat burokratike dhe të krijojë mekanizma mbrojtës për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Takimi zhvillohet në një kohë kur shqetësimet për këtë teknologji janë shtuar, pas disa incidenteve të fundit që përfshijnë agjentë të inteligjencës artificiale, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe kontrollin e tyre. Në të njëjtën kohë, zhvillimet në industrinë e teknologjisë kanë shtuar pasigurinë, pas dorëheqjes së shefit ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang.
Një tjetër çështje në axhendën e udhëheqësve evropianë është lufta në Ukrainë. Kjo temë u shtua në diskutimet e samitit pas mbërritjes në Dublin të të dërguarve amerikanë Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, të cilët një ditë më parë zhvilluan bisedime në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa më pas u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas burimeve zyrtare, udhëheqësit pritet të diskutojnë rolin e Evropës në negociatat e paqes, si dhe garancitë e mundshme të sigurisë që Unioni mund t’i ofrojë Ukrainës në rast të arritjes së një armëpushimi.
Në axhendën e takimit është edhe buxheti i ardhshëm i Bashkimit Evropian, për të cilin Austria dhe Gjermania kërkojnë shkurtime të konsiderueshme. Kancelari austriak Christian Stocker, pas një takimi me përfaqësues të vendeve anëtare që ndajnë të njëjtat qëndrime, deklaroi se tashmë përgjegjësia i takon presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, për të paraqitur një propozim të ri.
“Gjatë takimit diskutuam kuadrin e ri financiar të Bashkimit Evropian. Tashmë i takon presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, të paraqesë një propozim të ri, me një buxhet ndjeshëm më të ulët, për të mundësuar arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit”, tha Christian Stocker, kancelar i Austrisë.
Samiti i Dublinit pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme për përcaktimin e prioriteteve të Bashkimit Evropian, si në garën globale për inteligjencën artificiale, ashtu edhe në çështjet e sigurisë dhe financimit të bllokut.




