Subscribe

Nga takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Washington, kryeministri Edi Rama thotë se mori mbështetjen e plotë për nismën “Ballkani i Hapur”.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

Kemi folur për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100%.

 

Në deklaratën e Edi Ramës është e paqartë nëse SHBA-të  kanë ndryshuar qëndrim. Deri më tani, Departamenti Amerikan i Shtetit është deklaruar zyrtarisht për një “Ballkan të Hapur” gjithëpërfshirës, pra me pjesëmarrjen e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

Jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht Ballkanin e Hapur, është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur që në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur.

 

Me marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nga qershori i këtij vitit deri në dhjetorin e 2023-it, në agjendën e Shqipërisë do të jetë edhe Kosova.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

Nuk dua të nxitohem, as të flas përpara kohe për gjëra që janë në proces. Ne po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim se si mund t’i vendosim në tryezë. Natyrisht dihet qëndrimi ynë. Ne jemi shumë mbështetës të dialogut, këtë e kemi diskutuar edhe me Sekretarin, nevojën për thellimin e dialogut, mes Serbisë dhe Kosovës dhe domosdoshmërinë që me dialog të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë.

 

Për zhvillimet politike në Shqipëri, me një ish-kryeministër të shpallur “non-grata” që kërkon të rikthehet në krye të Partisë Demokratike, Edi Rama ritheksoi se në këtë vendimmarrje të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai nuk ka asnjë kontribut.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

Shpallja “non grata” e Sali Berishës është meritë 100% e Sali Berishës, nuk ka diskutim. Shtetet e Bashkuara thjeshtë e kanë konfirmuar me vendimin e tyre, meritën e tij për të gjitha ato për të cilat ata e kanë shpallur “non grata” dhe të thuash që qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të influencohet nga faktorë të jashtëm për vendime të kësaj natyre, do të thotë faktikisht të akuzosh Shtetet e Bashkuara se janë një shtet pa dinjitet, pa seriozitet, pa integritet dhe se kanë një qeveri që korruptohet për qëllime të të tretëve. Këto janë vendime, të cilat merren me procese të mirëpërcaktuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me faktorë të jashtëm.

 

Me afrimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore, Edi Rama te kundërshtari i tij, Lulzim Basha sheh  humbësin përsëritës ndërsa nuk ka asnjë parashikim për fatin e Ilir Metës.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

Lulzim Basha nuk fiton dot asgjë, asnjëherë, në asnjë rast. Kështu që siç ka humbur gjithmonë do t’i qëndrojë besnik profilit të vet që është të humbasë përsëri. Duke qenë se Ilir Meta është në gjykim nga Gjykata Kushtetuese,unë nuk do të doja të hyja në këtë“grackë” sepse mendoj se është koha që t’i lihet Gjykatës Kushtetuese fjala dhe mundësia që të vendosi në vend nderin e nëpërkëmbur të Kushtetutës.

 

Në mbyllje të vizitës dhe takimit më të rëndësishëm në Washington me sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, kryeministri rikonfirmoi qëndrimin pro SHBA-së dhe NATO-s për çështjen “Ukraina”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *