Forcat e koalicionit amerikan deklaruan se kapën një zyrtar të lartë dhe prodhues të bombave të Shtetit Islamik në një aksion të kryer me sukses para agimit të së enjtes, ku, sipas dëshmitarëve, u panë forca ushtarake me helikopterë të cilat bastisën një shtëpi të izoluar në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga forcat rebele.

 

Një vëzhgues lufte dhe korrespondentët e AFP-së thanë se dy helikopterë ushtarakë u ulën për vetëm disa minuta dhe u dëgjuan disa të shtëna, në një fshat, në një zonë të kontrolluar nga grupet rebele të mbështetura nga Turqia.

 

“Individi i kapur është një prodhues me përvojë i bombave artizanale, i cili u bë një nga udhëheqësit më të lartë të degës siriane të Daesh-it,”shkruhej në raportin e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që lufton grupin xhihadist në Siri dhe Irak, të cilët përdorin një emër tjetër për IS.

 

Koalicioni nuk e përmendi objektivin në deklaratë, por një zyrtar i koalicionit i tha AFP-së se personi i kapur ishte Hani Ahmed Al-Kurdi, i cili ishte lideri i ISIS në Raqa, kur ky ishte kryeqyteti ‘de facto’ i ISIS në Siri.

 

Operacione të tilla nga forcat amerikane janë të rralla në pjesë të Sirisë veriperëndimore që janë nën kontrollin e rebelëve të mbështetur nga Turqia dhe grupeve xhihadiste.

 

Një bastisje e mëparshme e forcave speciale amerikane, në fillim të shkurtit çoi në vdekjen e udhëheqësit të grupit Abu Ibrahim al-Qurashi, i cili shpërtheu një jelek bombë për të shmangur kapjen e tij i gjallë.

 

ISIS më pas emëroi Abu al-Hassan al-Hashemi al-Qurayshi si pasardhësin e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth identitetit të tij./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *