Vrasja e Klevis Lleshit, një i ri nga Burreli i zhdukur në gusht të vitit 2020, është zbardhur pas një hetimi të thelluar nga SPAK dhe Policia e Shtetit. Sipas autoriteteve, kjo ngjarje është pjesë e një sagë vrasjesh për hakmarrje, që ka nisur më shumë se një dekadë më parë në Britaninë e Madhe.
Vrasja e urdhëruar nga Aurel Hoxha, për hakmarrje ndaj kushëririt të viktimës.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas hetimeve, Aurel Hoxha është personi që dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e Klevis Lleshit, për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, të ndodhur në Angli në vitin 2012. Në atë ngjarje, Arben Lleshi , kushëri i Klevisit, u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Winchester për vrasjen e Agim Hoxhës, ndërsa një tjetër i afërm, Afrim Lleshi, u dënua me 3 vite burg për pengim të drejtësisë.
Komunikimet e përgjuara përmes aplikacionit të koduar Sky ECC ndihmuan në zbardhjen e dinamikës dhe autorëve të krimit të vitit 2020. Dy persona janë arrestuar me urdhër të SPAK, ndërsa Aurel Hoxha dhe një tjetër bashkëpunëtor janë shpallur në kërkim. Policia ka ushtruar kontrolle edhe në një biznes në pronësi të Hoxhës, në Tiranë.
Një zinxhir vrasjesh për hakmarrje, viktima të shumta brenda fisit Lleshi
Vrasja e Klevis Lleshit është vetëm një ndër viktimat e një zinxhiri të gjatë hakmarrjesh që ka përfshirë familjen Lleshi nga zona e Matit, e që lidhet me vrasjen në Londër të vitit 2012.
Në vitin 2012, u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit.
Në vitin 2017, u vra Hajredin Lleshi, një tjetër xhaxha i Arbenit, në fshatin Rukaj të Burrelit. Ai u qëllua me breshëri nga persona të paidentifikuar, të cilët e thirrën pranë shtëpisë dhe më pas e ekzekutuan me të paktën 15 plumba.
Po në 2017, u zhduk pa lënë gjurmë Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur as sot.
Klevis Lleshi, i zhdukur në 2020, u gjet i pajetë në një pronë që i përkiste dajave të Agim Hoxhës, viktimës së parë në Londër.
Këto vrasje konsiderohen si akte të një hakmarrjeje të egër, që ka kaluar kufijtë shtetërorë dhe është përhapur mes brezave të të njëjtit fis.
Vrasja e Arben Lleshit në burg
Ndërkohë, Arben Lleshi, i dënuar për vrasjen në Britani dhe i ekstraduar në Shqipëri në vitin 2016, u vra në burgun e Peqinit në vitin 2023. Autori i këtij krimi ishte i dënuari Sokol Mjacaj, i cili e qëlloi brenda qelisë.
SPAK ka deklaruar se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet hakmarrjesh dhe krimesh të rënda, ndërkohë që autoritetet kërkojnë bashkëpunim të qytetarëve për kapjen e të shpallurve në kërkim.
/vizionplus.tv







