Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer nga 205 robër lufte secila këtë të premte, si pjesë e një marrëveshjeje të lidhur me armëpushimin treditor më herët këtë muaj, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ky ishte hapi i parë në një shkëmbim më të madh robërish lufte, pasi Kievi dhe Moska kishin rënë dakord të shkëmbenin nga 1 mijë robër secila sipas kushteve të marrëveshjes.
“205 ukrainas janë kthyer në shtëpi. Shumica prej tyre kishin qenë në robëri ruse që nga viti 2022,” tha Zelensky në aplikacionin Telegram, duke publikuar fotografi të ushtarëve të buzëqeshur, shumë prej tyre të mbështjellë me flamuj ukrainas.
Duke qëndruar pranë një autobusi së bashku me ushtarë të tjerë dhe i mbështjellë me flamurin kombëtar blu e verdhë, ushtaraku Yevhen Yeremenko tha se ishte i lumtur që po kthehej pas katër vitesh pritjeje për lirinë e tij.
“Është shumë për të ardhur keq që zgjati kaq shumë. Por disa djem ende mbeten atje. Ata presin dhe shpresojnë. Shpresojnë që atdheu i tyre do t’i nxjerrë prej andej,” i tha ai Reuters-it ndërsa po hante një mollë. “Duhet t’i sjellim ata përsëri. Katër vite janë të vështira. Mos i harroni!”
Shërbimi i inteligjencës ushtarake ukrainase HUR tha se shumë nga ushtarakët e kthyer ishin mbajtur rob pas mbrojtjes disamujore të Mariupolit, një qytet-port në juglindje që ra nën kontrollin rus në vitin 2022.
HUR tha se Kievi kishte arritur të kthente në shtëpi disa dhjetëra oficerë, përveç ushtarëve dhe rreshterëve.
Të dyja palët kryen gjithashtu një shkëmbim të të vrarëve në luftime, ku Rusia i dorëzoi Ukrainës 526 trupa dhe mori 41 në këmbim.
Si Kievi ashtu edhe Moska falënderuan Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërmjetësimin e shkëmbimit. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ushtarakët e saj ndodheshin në Bjellorusi, ku po merrnin mbështetjen e nevojshme.
Shkëmbimet e robërve të luftës janë bërë një nga rezultatet kryesore konkrete të negociatave për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA-të.
Bisedimet për përfundimin e luftës, tashmë në vitin e pestë, kanë mbetur në vend pavarësisht armëpushimit të vendosur nga data 9 deri më 11 maj. Armëpushimi, i cili nisi në përvjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, u shoqërua me raportime për shkelje nga të dyja palët.
Vetëm disa orë pas përfundimit të tij, Rusia nisi sulmin më të gjatë dhe më të madh ajror ndaj Ukrainës, duke lëshuar më shumë se 1 mijë e 500 dronë dhe dhjetëra raketa, duke vrarë mbi 30 persona në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase. Edhe Kievi ka kryer sulme me dronë ndaj objektivave në Rusi, duke synuar të godasë rafineritë e naftës, depot dhe tubacionet.





