Rusia dhe SHBA bisedime për naftën, Moska synon të eksportojë deri në 3.5 mln tonë naftë në muaj

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedimet për furnizimet me naftë, në një kohë kur tregjet globale të energjisë po përballen me vështirësi për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, i cili deklaroi se diskutimet po zhvillohen mes institucioneve dhe kompanive energjetike të të dyja vendeve.
“Sot kemi mundësinë të sigurojmë furnizime shtesë me naftë për tregjet globale dhe tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë edhe balancimin e situatës e cila tani duket mjaft e ndërlikuar për shkak të problemeve në Ngushticën e Hormuzit”, tha Novak.
Ky vendim, vjen pas marrëveshjes së bujshme të arritur gjatë një bisede telefonike mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan Donald Trump.
Moska argumenton se rritja e furnizimeve me naftë do të ndihmojë në zbutjen e problemeve në tregun global, të shkaktuara nga vështirësitë në Ngushticën e Hormuzit dhe rënia e kapaciteteve botërore të rafinimit.
Novak parashikon që deri në fund të vitit 2026, Rusia të jetë në gjendje të eksportojë nga 3 deri në 3.5 milionë tonë naftë në muaj. Ai theksoi gjithashtu se eksportet nuk do të ndikojnë në furnizimin e tregut të brendshëm rus.
Ndëkaq, Moska kishte zgjatur më herët kufizimet për eksportin e disa produkteve të naftës. Vendimi i 30 shtatorit parashikonte vazhdimin e ndalimit për prodhuesit deri më 31 tetor, ndërsa kufizimet për kompanitë që nuk janë prodhuese mbeten në fuqi deri më 31 janar 2027.
Ndërkohë, pavarësisht diskutimeve për furnizimet me naftë, tregjet ndërkombëtare e nisën javën me rritje të çmimeve. Aktualisht ajo po tregtohet në 93 dollarë e 74 cent për fuçi në bursën e Nju Jorkut.




