Subscribe

Numri dy i socialistëve Taulant Balla ka sqaruar se komisioni i posaçëm për raportin e Dick Martyt do të fokusohet vetëm tek zbardhja e të vërtetës dhe hedhja poshtë e të gjitha pretendimeve të pabazuara për krime lufte.

Përballë gazetarëve Balla ka theksuar se ky komision do të synojë mbledhjen e të gjitha të dhënave dhe dëshmive për t’i çuar më pas këshillit të Europës një raport të plotë që zbardh të vërtetën rreth akuzave për krime lufte.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

“Të gjitha këto është dashur dhe duhet të përfshihen në një raport. Është në dinjitetin e Shqipërisë sonë, që të gjitha këto gjetje dhe çdo dëshmi e nevojshme, që hedh poshtë dyshime, sepse prova nuk ka, se në Shqipëri, në Kukës apo në Has, apo në Mat, të ketë pasur baza të UÇK, në të cilat të jenë kryer edhe krime kundër njerëzimit apo krime lufte.”

 

Balla ka hedhur poshtë idenë se ky komision ngrihet vetëm për të goditur liderin e opozitës Basha dhe ish-kryeministrin Berisha, edhe pse sipas Ballës PD ka kryer tradhti kombëtare duke votuar rezolutën e këshillit të Europës për akuzat e Dick Martyt.

 

“Eshte gjëja e fundit që mund të më shkojë ndermend mua apo çdo kolegu deputet është që ky komision. Basha e Berisha duhet të kërkojnë njëherë falje që e kanë votuar atë raport ne 2011. Basha, të paktën për këtë çështje, duhet të ndalet nga Berisha, nëse ka këllqe ta bëjë këtë. Vota pro këtij raporti është një tradhti kombëtare. Shqiptarët kurrë nuk kanë kryer krime lufte, sepse kanë qenë në mbrojtje.

 

Në janarin e vitit 2011 delegacioni shqiptar në asamblenë e këshillit të Europës u nda; PD asokohe në qeveri votoi pro rezolutës që bënte thirrje për hetimin e krimeve pas konfliktit në Kosovë, duke u bazuar mbi raportin e Dick Martyt. Asokohe qeveria Berisha argumentoi votën pro duke sqaruar se nuk i druhet asnjë hetimi pasi akuzat janë të pabazuara. Por 9 vjet pas votimit në këshillin e Europës socialistet e rikthyen këtë çështje në debatin politik të ditës duke i bërë thirrje Bashës e Berishës të sqarojnë të vërteten, një debat në të cilin Basha deri tani ka preferuar të mos përfshihet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *