Reshjet e shiut gjatë natës në Gjirokastër dhe Shkodër, disa fshatra pa energji elektrike dhe rënie gurësh në akset rrugore

Reshjet e shiut të regjistruara gjatë natës kanë sjellë disa problematika të kufizuara në qarqet Gjirokastër dhe Shkodër, por deri në orët e mëngjesit situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme.
Në Qarkun Gjirokastër, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët. Sipas informacionit të OSHEE-së, ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në Njësinë Administrative Dropull i Sipërm. Pas ndërhyrjes së ekipeve të OSHEE-së, vetëm disa fshatra vijojnë të jenë pa energji. Nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të tjera.
Ndërkohë, në Qarkun Shkodër reshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet mesatar. Sipas Prefekturës, nuk raportohen problematika në pesë bashkitë e qarkut, ndërsa nivelet e ujit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut.
Problematika janë evidentuar në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku gjatë natës ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Firmat e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë për pastrimin e tyre dhe aktualisht qarkullimi vijon normalisht.
Prefekturat dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në rast të problematikave të reja.
/vizionplus.tv




