Presidenti Ilir Meta mirëpriti draftin e paraqitur nga opozita jashtëparlamentare për ndryshimet në reformën zgjedhore. Sipas Metës, ky është një tregues se opozita kërkon të ndërtojë konsesus. Kurse mazhorancën, presidenti e akuzoi se po kërkon konflikt dhe shtrembërim të zgjedhjeve.

 

“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje. Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual. Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e  arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve. Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha kreu i shtetit në “Facebook”.

 

Ai paralajmëroi se nëse shumica qeverisëse do të anashkalojë marrëveshjen e 5 Qershorit, atëherë ky do të ishte atentat dhe provokim.

 

“Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit. Koha për reflektim! 🇦🇱”

 

Opozita e Bashkuar dërgoi të dielën në Këshillin Politik draftin e plotë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. PD dhe aleatët bënë të ditur se në këtë draft garantohet hapja e vërtetë dhe 100% e listave të kandidatëve për deputet ndryshe nga çfarë ka kërkuar PS. Po ashtu në draftin e Opozitës së Bashkuar kërkohet ruajtja e koalicioneve parazgjedhore siç janë në ligjin aktual.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *