Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pas akuzave se ka kaluar fundjavën në Paris dhe për udhëtimin ka përdorur avionin e “Air Albania”.

Në kundërpërgjigje të demokratëve, kreu i qeverisë sqaroi se vizita ishte informale dhe se është kthyer qysh të shtunën.

Një koment ai e bëri edhe për dështimin e reformës zgjedhore. Sipas Ramës, mazhoranca e ka bërë pjesën e saj.

“Unë s’jam në Francë po në Shqipëri qysh pardje! Kam shkuar pasditen e të premtes e jam kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë dhe “shpenzimet e luksit e të fundjavave jashtë” ua kam lënë atyre që të vetmen punë kanë të më shajnê ditë-natë! Pikë. Sa për Reformën Zgjedhore dhe dizinformimet që vazhdojnë, do të presim edhe sot pa folur pasi kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj! Sot kemi angazhuar edhe ushtrinë për operacionin e pastrimit të inerteve nga sheshet e Rindërtimit, ku shpejt do të nisin projektet😊”

Të dielën Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi akuzoi kryeministrin se ka përdorur avionin e “Air Albania” si charter personal për të shkuar në Paris pa dhënë sqarime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *