Subscribe

Arrestimi i Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, sjell reagimin e Athinës zyrtare. Në një deklaratë për mediat, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se qeveria e tij nuk do të bëjë asnjë lëshim, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri.

 

KYRIAKOS MITSOTAKIS

KRYEMINISTER I GREQISE

 

Dua t’i dërgoj një mesazh mikut tim, Shqipërisë. Zbritje për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke, Greqia nuk do të pranojë.

 

Në reagimin e tij, që arrestimin e Fredi Belerit e quan një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme, Kyriakos Mitsotakis kërkoi lirimin e kandidatit të opozitës, për të qenë pjesë e procesit zgjedhor të 14 majit.

 

KYRIAKOS MITSOTAKIS

KRYEMINISTER I GREQISE

 

Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, në mënyrë që ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor

 

Qeveria e Athinës bën me dije se për çështjen “Beleri” është njoftuar përfaqësuesi i lartët i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell dhe OSBE. Në një video-mesazh në twitter, shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias, deklaron.

 

NIKOS DENDIAS

MINISTER I JASHTEM, GREQI

Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar bashkie në HimaRë të Shqipërisë, si dhe një tjetër grek, përbën një skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme.

 

Deklaratat e Athinës zyrtare u prinë nga një reagim i kryeministrit Edi Rama.

 

Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën Fredi Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!

 

Në twitter, kreu i qeverisë i bëri thirrje politikës duke iu referuar drejtuesve të opozitës që të mos nxitohen në akuza, por të presin drejtësinë.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.

 

Të njëjtën thirrje për të pritur fjalën e drejtësisë bëri edhe ministrja e jashtme Olta Xhaçka për homologun e saj grek.

 

OLTA XHAÇKA

MINISTRE E JASHTME

 

U kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.

 

 

Pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të vetëm të opozitës përballë socialistit Jorgo Goro, Ambasadorja e Greqisë në Tiranë shkoi në Ministrinë e Jashtme. Takimi i diplomates Kostantina Kamitis me drejtorin e rajonit dhe jo me ministren Olta Xhaçka zgjati pak minuta. Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme Greke, thuhet se Ambasadorja me udhëzim të shefit të diplomacisë, Nikos Dendias, bëri një demarsh për Ministrinë e Jashtme shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *