Rama përgëzon Bashkinë Elbasan: Pikat e verdha do të respektohen si vijat e bardha

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar Bashkinë Elbasan për vendosjen e disa pikave të verdha në trotuare, pranë njësive të ndryshme tregtare, që udhëzojnë për distancim fizik mes njerëzve në qytet.
Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i qeverisë ka publikuar disa pamje nga ndërmarrja e këtij veprimi në Elbasan në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në territorin shqiptar.
Sipas Ramës, sot edhe këmbësorët janë në rrezik, e për këtë arsye të gjithë duhet të bashkëpunojnë.
“Përgëzime Bashkisë Elbasan. Ky do të jetë standardi kudo dhe pikat e verdha do të bëhen si vijat e bardha a si semaforët, me detyrimin për t’i respektuar të gjithë dhe masat ndëshkimore për shkeljen e tyre. Deri dje vetëm automjetet mund të plagosnin e vrisnin njerëz, sot edhe këmbësorët janë rrezik për njëri-tjetrin, prandaj deri nesër, kur bota të rikthehet në normalitet, na duhet të bashkëjetojmë me rregulla që deri dje as nuk i ka imagjinuar dot askush.”







