Rama nga Luksemburgu: Jemi kthyer për të rikonfirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm

Kryeministri Edi Rama është i pranishëm ditën e sotme në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në Qendrën Europiane të Konventave për mbylljen e negociatave për Kapitullin e 20-të, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Pak para nisjes së aktivitetit, Rama tha se Shqipëria po rikonfirmon se përparimi historik drejt BE-së është i pandalshëm.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se objektivi i vendit tonë mbetet mbyllja e sa më shumë kapitujve deri në fund të vitit.
Pjesë nga biseda:
Rama: U kthyem, jemi kthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar që përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë sapo kam kryer disa takime inkurajuese për çka vjen më pas, pra planet janë ambicioze.
Brenda këtij viti synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj dhe jam absolutisht i bindur që sa i takon palës sonë, do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet.
Pyetje: -Zoti Kryeministër sa kapituj do të mbyllen deri në fund të këtij viti?
Rama: Nuk do të thoja shifrat, thjesht po them që sot do të mbyllim edhe një tjetër kapitull që bën katër gjithsej dhe ka mbetur së paku edhe dyfish që pritet të jetë shifra për këtë vit, të paktën për këtë vit, por le të shohim.




