“Samiti i NATO-s në Tiranë por jo në 2027”, Rama: Procesi i antarësimit në BE, i bazuar në meritë

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshte zërat se situata e paqëndrueshme në vend ka bërë që Shqipëria të propozojë shtyrjen ose zhvillimin e samitit të NATO-s në format virtual.
Gjatë takimit të 9-të të Komitetit Politik Evropian i mbajtur në Irlandë kreu i qeverisë sqaroi se vendi mikpritës i takimit të aleancës euroatlantike do të jetë Tirana.
“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë. Ato që po diskutohen për këtë çështje janë marrëzira”, tha Rama.
Rama mohoi të kishte marrëdhënie biznesi me Kushnerin dhe gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se ishulli i Sazanit i është dhënë investitorit amerikan.
“Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me Kushnerin. Ai është një nga investitorët e shumtë që kanë treguar interes për vendin tonë. Aktualisht po zhvillohen bisedime me grupin e tij, i cili është një grup i madh dhe me qëllime shumë të mira. Nëse do t’ju pyesja se çfarë dini për këtë çështje, do të më thoshit se ka një ishull në Shqipëri që i është dhënë atij. Kjo është ajo që ju kanë thënë mediat ndërkombëtare, por është gënjeshtër”, tha Rama.
Procesi i integrimit për kreun e qeverisë duhet të bazohet tek merita ndaj kërkoi nga Bashkimi Europian që të jetë i qartë me vendet kandidate.
“Nuk ka rrugë tjetër për t’u anëtarësuar në BE përveç ndjekjes së procesit të bazuar në merita dhe kjo do të vlejë edhe për Ukrainën. Bashkimi Evropian duhet të gjejë momentin e tij të ri Helmut Kohl dhe t’i mbledhë të gjithë rreth tryezës, duke ruajtur për secilin procesin e bazuar në merita”, tha Rama.
Një ditë më parë, Rama u prit në Dublin me thirrje kundër nga disa qytetarë shqiptarë që banojnë atje, megjithatë sqaroi se këto incidente mund të ndodhin në çdo vend demokratik.
“Po, ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash shqiptare që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, tha Rama.
Pas punimeve të Samitit, liderët zhvilluan dhe një foto familjare ndërsa më herët kreu i qeverisë zhvilloi takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.




