Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist. Në takimin që zgjati rreth një orë në kryesinë e kuvendit, kreu i qeverisë u la një sërë porosish deputetëve.
Fokusi ishte tek takimet në bazë por edhe me qytetarët, ndërsa vetë Rama bëri me dije se do të zhvillojë takime me simpatizantët e PS dhe qytetarët në çdo qytet të vendit për t’u njohur me problemet që kërkojnë zgjidhje konkrete.
Burime nga PS bëjnë me dije se ligjvënësit e majtë kanë raportuar aktivitetet publike të fushatës “Për Shqipërinë”, e cila do të zgjasë 9 javë, ku fokusi i kësaj jave është tek ekonomia.
Integrimi ishte sërish temë e diskutimit në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Porosia kryesore e Ramës ishte miratimi i ligjeve që janë në përputhje kriteret e vendosura nga Unioni.
Burime nga PS pohuan se gjatë takimit pati edhe debate të brendshme, megjithatë nuk janë bërë të ditura më shumë detaje.
Vetëm një javë më parë, Rama mblodhi grupin socialist në Pallatin e Brigadave ku njoftoi dhe nisjen e Turit për Shqipërinë ndërsa deputeti Erion Braçe, shprehu ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale.





