Bashkimi Evropian i dha një tjetër goditje të fortë Moskës përmes pakos së pestë të sanksioneve ndërsa vendimi i radhës që po negociohet, është ai i shkëputjes së plotë të varësisë nga importet ruse të energjisë.

 

Paralelisht, shefi i Kremlinit ka deklaruar se po kërkon alternativa të tjera për të zhvendosur furnizimet.

 

VLADIMIR PUTIN
PRESIDENT I RUSISE

“Si rezultat i veprimeve nga vendet jomiqësore, zinxhirët e transportit dhe furnizimeve janë ndërprerë. Disa kompani të huaja nuk po iu përmbahen detyrimeve të tyre kontraktore dhe kjo situatë sigurisht që krijon disa vështirësi për ne. Sa i takon naftës, gazit dhe qymyrit rus, do të rrisim furnizimin me burime energjetike në rajone të tjera të botës.”

 

Pas premtimeve të Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund vartësisë nga gazi rus, Turqia po synon të luajë një rol kyç në furnizimin e Evropës nga vende të tjera, duke u bërë pika kryesore lidhëse, përmes kontrollit të tubacioneve nga furnizuesit e rinj në Irak dhe Izrael.

 

Këshilltari i lartë i presidentit turk, Ilnur Cevik shprehet se furnizimi i Evropës me gaz natyror nga Mesdheu Lindor përmes Turqisë është një zgjidhje e mundëshme që po diskutohet nga palët.

 

Në Mesdheun Lindor, Izraeli ka rezerva të mëdha gazi, të zbuluara së fundmi. Turqia po propozon që një tubacion nga Izraeli të lidhet me rrjetin turk, për të furnizuar Evropën.

 

Gazi nga rajoni gjysmë autonom kurd në Irak është një alternativë tjetër për furnizim të kontinentit të vjetër. Por sulmet me raketa të muajit të kaluar në Erbil, për të cilat fajësohet Irani, sipas vëzhguesve, janë paralajmërim i Teheranit kundër marrëveshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *