Protesta/ Ministri Demo: Gjashtë efektivë të plagosur, dhuna ndaj policisë nuk justifikohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar dhunën ndaj efektivëve të Policisë gjatë protestës së sotme, ku mbetën të plagosur gjashtë punonjës policie.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo theksoi se dhuna ndaj uniformave blu nuk mund të justifikohet si ushtrim i së drejtës për protestë, ndërsa u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve.
Reagimi i Ervin Demo:
Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.
U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.
U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.
Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.
Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve.




