Partia Demokratike zhvilloi një protestë para Kryeministrisë një ditë më parë, ku kërkesat ishin rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike. Sa u arrit qëllimi i protestës?
Kjo ishte pyetja që u ngrit në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio, analisti Plator Nesturi tha se protesta nuk prodhoi asgjë. Sipas tij, qytetarët nuk janë të bindur nga kjo opozitë, e cila nuk ka se çfarë prodhon.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si e pe protestën e opozitës dje?
Nesturi: Ti ke një emision që e ke programuar gjatë javës, ke orarin tënd dhe, në njëfarë mënyre, kërkon të rritësh shikueshmërinë. Prej kohësh, çfarë bën opozita? Është sikur ka hapur një emision që quhet protesta, por shikueshmëria bie, nuk është më prime.
Në këtë kuadër, derisa nuk arrin dot të frymëzojë njerëz, për më tepër që kemi të bëjmë me një forcë politike që sondazhet e nxjerrin të pabesueshme, është e kuptueshme që në këtë kuadër nuk është momenti të themi se po bëjnë rolin e tyre.
Ne jetojmë në një situatë që ka ngjarje dhe zhvillime, ku në kushte të tjera opozita do të ishte faktor politik. Qytetarët nuk e shohin si një aktor që të mbajë përgjegjësi për nesër, me fatet e vendit.





