Subscribe

Komisioni Evropian ka publikuar progres raportin për Shqipërinë duke vlerësuar se vendi ynë ka bërë progresin e nevojshëm për të zhvilluar konferencën e dytë ndër qeveritare.

 

Në dokumentin prej 148 faqesh skanohet e gjithë situata në Shqipëri duke nisur nga zgjedhjet, parlamenti, sektori i ekonomisë, bujqësia, media e shoqëria civile duke vlerësuar se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar për të pasur të njëjtat standarde si vendet anëtarë të Bashkimit Evropian.

 

Në raport me betejën e opozitës në parlament, Brukseli i jep të drejtë deputetëve demokratë në kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

 

“Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi.”

 

Në raport nuk janë përfshirë ngjarjet e fundit në parlament, por situata e tensionuar në fillimin e këtij viti, dhe Brukseli vëren se është i paprecedent përjashtimi i 23 deputetëve në harkun kohor të një muaji

 

“Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji.”

 

Për Brukselin korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor për Shqipërinë edhe pse komisioni evropian njeh arritjet e SPAK-ut ne lidhje me çështjen e inceneratoreve.

 

“Në çështjet me profil të lartë, gjykatat e posaçme dhanë dënime penale; veçanërisht dënimi i një ish-ministri të mjedisit me 10 vite burg dhe një deputeti me 4 vite burg si pjesë e një hetimi për kontratat koncesionare për trajtimin e mbetjeve. Një ish-zëvendëskryeministër u akuzua nga SPAK për vepra penale përfshi edhe korrupsion pasiv; si pjesë e hetimit për çështjen e inceneratorëve.”

 

Por pavarësisht këtyre rezultateve, Brukseli kërkon që të vazhdojë hetimi dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë.

 

“Korrupsioni është I përhapur në shumë aspekte të jetës publike dhe biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një impakt të kufizuar. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivelet e larta mbetet një prioritet I rëndësishëm për të goditur më tej kulturën e pandëshkueshmërisë.”

 

Brukseli tërheq vëmendjen për ligjin që legalizoi kanabisin për qëllime mjekësorë, duke i kërkuar shtetit të marrë masa për të ndaluar që kanabisi të shitet për qëllime të tjera. Gjithashtu Komisioni Europian thekson se Shqipëria do të jetë në monitorim për çdo iniciativë të mundshme që lidhet me amnistinë fiskale.

 

Vlerësimin më të mirë Shqipëria e ka marrë në marrë në politikën e jashtme ku vlerësohet linjëzimi i plotë me Bashkimin Evropian. Vlerësime pozitive vendi ynë ka marrë edhe për marrëdhëniet me fqinjët, por megjithatë progres raporti ka vënë në dukje problemet e krijuara me Greqinë pas arrestimit të kryetarit te zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri.

 

“Masa e paraburgimit për një kryetar të zgjedhur bashkie që i përket minoritetit grek, gjyqi për të cilin nisi në 14 shtator me akuzën për blerjen e votave, është bërë shkak për tensione mes dy vendeve.”

 

Pavarësisht se Komisioni Evropian rekomandon zhvillimin e konferencës së dytë ndërqeveritare; vendimi final i përket vendeve anëtare të be. Për shkak të çështjes “Beleri”, Greqia ka paralajmëruar bllokimin e procesit të integrimit për Shqipërinë dhe mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë, kur Këshilli Evropian të shqyrtojë vendimin për Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *