Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli do të vizitojë Maqedoninë e Veriut  dhe Shqipërinë, një vizitë që pason vendimin e BE për të mos çelur negociatat.

 

Në Maqedoninë e Veriut  Sassoli do të qëndrojë në fillim të javës që vjen, ndërsa vizitën e tij në Shqipëri pas marrjes së detyrës do ta kryejë më 2-3 dhjetor.

 

Presidenti i PE-së ka një mesazh të qartë për dy vendet, publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, ndërsa i kërkon atyre të qëndrojnë në rrugën europiane.

 

“Vizita në Maqedoninë e Veriut, dhe shumë shpejt në Shqipëri, ka një rëndësi të madhe për mua personalisht në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillitpër të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme. Për më tepër, dua t’u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri: Mos shuani shpresën, ju lutemi qëndroni në rrugën evropiane.”

 

Ndër të tjera në mesazhin e tij para zhvillimit të vizitës në dy vendet të cilat morën një përgjigje negative për hapjen e negociatave është shprehur se Parlamenti Evropian i mbështet ato.

 

“Parlamenti Evropian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm. Ndërkohë, ne i inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformës. Jemi të bindur që, përkundër shtyrjes, kjo kohë nuk do shkojë kot. Reformat e kryera në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe do të përfitojnë para së gjithash dhe brezin e ri që meriton një të ardhme më të mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *