Subscribe

Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet ditën e nesërme faza e parë e zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë 7 kandidatë, 2 prej të cilëve shqiptarë.

Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriut janë presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, Arben Taravari nga koalicioni VLEN, Biljana Vakovska e mbështetur nga e Majta, Maxim Dimitrievski ZNAM dhe Stevço Jakimovski nga GROM.

Analisti Albert Musliu, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, ka bërë një analizë të situatës parazgjedhore dhe asaj çfarë pritet të ndodhë nesër në raundin e parë. Raundi i dytë do të mbahet më 8 maj.

Intervista:

-Nesër mbahet turi i parë i votimeve. Janë 7 kandidatë. Për çfarë kanë folur më së shumti kandidatët në këtë fushatë?

Musliu: Kishim kandidatë që dalloheshin, dy ose tre, por zakonisht fushatën ia mbanin dhe presidentët e partive që e kanë dominuar. Presidenti i Maqedonisë ka kompetenca të kufizuara.

-Dy prej kandidatëve janë shqiptarë. Përse besohet ose komentohet se asnjëri prej tyre nuk mund të fitojë?

Musliu: Për shkak të votave. Maqedonia nuk ka arritur akoma në atë nivel që në raundin e parë qytetarët maqedonas të votojnë një kandidat shqiptar, nuk janë gati të votojnë cilësinë. Besoj se shumica e qytetarëve maqedonas do të votojnë për kandidatët maqedonas. Ky është realiteti në Maqedoni. Edhe pse ka pasur disa raste kur shqiptarët kanë marrë vota, por jo të mjaftueshme për të kaluar në raundin e dytë.

-Çfarë tregojnë sondazhet? Çfarë do të ndodhë më 8 maj, në raundin e dytë, kur do të votohet edhe për zgjedhjet parlamentare. Cilat janë gjasat që të jetë rezultati?

Musliu: Ka një avantazh të vogël të opozitës maqedonase. Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare të kaluara, ku disa anketa tregonin një fitore të madhe të opozitës, por humbi me dy deputetë në ditën e zgjedhjeve. Te pala maqedonase ka një garë serioze ndërmjet LSDM dhe VMRO-DPMNE. Shanset janë reale që VMRO-DPMNE të ketë një fitore. Te pala shqiptare mendoj se do jetë situata më interesante. Kemi analiza që tregojnë se BDI me koalicionin që ka formuar, do ketë një fitore të madhe. Nga ana tjetër kemi një optimizëm te opozita shqiptare se do t’i fitojë zgjedhjet. Më 25 prill besoj se do ta kemi më të qartë se çfarë duhet të presim në zgjedhet parlamentare./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *