Drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës uruan këtë të diel Ditën e Rinisë.
Në një mesazh të posaçëm, Presidenti Begaj nderon të gjithë të rinjtë që 34 vjet më parë u ngritën kundër regjimit diktatorial dhe frymëzuan lëvizjen popullore, e cila çoi në rrëzimin e komunizmit.
Kryeministri Rama ndau shembullin e një të riu nga Konispoli, i cili ndjek traditën e prindërve, në biznesin e përpunimit të vajit të ullirit. Rama përgëzoi të rinjtë që me energjinë dhe me vizionin për të ardhmen, punojnë, ndërtojnë e frymëzojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bashkua marshimit nga Qyteti i Studentit për të vijuar drejt Kryeministrisë, për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri.
Ilir Meta ka përcjellë një mesazh nga burgu, ku shprehet besimplotë se të rinjtë do të marrin në dorë fatet e tyre dhe të vendit.
Bajram Begaj
34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Lëvizja popullore, që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë. Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Nder përjetë!
Edi Rama
Respekt në këtë Ditë të Rinisë me mishërimin e qartë të forcës së shembullit të qindra e mijëra të rinjve të sotëm, që nën traditën e prindërve, por me energjinë dhe me vizionin për të ardhmen, punojnë, ndërtojnë e frymëzojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd.
Ilir Meta
Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë!
Mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit, të gjithë djemve dhe vajzave, që 34 vite më parë, duke vrarë frikën i prinë me guxim, kurajë e patriotizëm Lëvizjes Studentore që e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë.
Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të mbarë vendit, sot më shumë se kurrë, kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm.
Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve.
Lulzim Basha
Këtë 8 Dhjetor, përulemi me respekt para guximit dhe vizionit të studentëve të Dhjetorit ’90, të cilët ndezën flakën e lirisë dhe demokracisë në zemrat e shqiptarëve. Ata u ngritën kundër një diktature të pamëshirshme dhe i dhanë fund një epoke të errët, duke hapur dyert një kapitulli të ri për Shqipërinë. Kjo ditë është jo vetëm kujtesë për të kaluarën, por edhe një thirrje për të ardhmen. Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa, por edhe një moment vetëdijësimi për të mësuar nga gabimet e të shkuarës, e për t’i lënë pas ato. Për të ndërtuar një Shqipëri ku çdo i ri të ketë mundësi reale për të realizuar ëndrrat e tij, për të ndërtuar familjen e tij, për të punuar sipas talentit dhe meritës dhe për të fituar një pagë të dinjitetshme, pa qenë i detyruar të largohet nga vendi i tij, nga të afërmit, miqtë dhe të dashurit e zemrës.
Në këtë 8 Dhjetor, dua t’i ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë të marrin shembull nga ata studentë të guximshëm, të besojnë te fuqia e tyre dhe të mos pranojnë asnjëherë më pak se ajo që meritojnë. Shqipëria jonë ka nevojë për energjinë, talentin dhe idealizmin tuaj, për t’i hapur dyer një tjetër kapitulli të historisë sonë, për një epokë të re shprese, zhvillimi, meritokracie dhe drejtësie.
Bashkë, me vendosmëri dhe besim, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar. Në këtë ditë të shënuar, të ndalemi dhe të kujtojmë se liria dhe demokracia janë trashëgimia jonë e çmuar, por ato kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm për t’u mbrojtur dhe forcuar. Gëzuar Ditën e Rinisë dhe Lirisë!
Sali Berisha
U vërsulën brenda pak minutave me tërbim, me egërsi të paparë kundër tyre. U vërsulën, i godisnin dhe humbisnin ndjenjat, i kapnin prej këmbësh dhe i flaknin në kamione për t’i larguar nga sheshi, nga rruga. E pastruan brenda, të themi 5, 6 apo 10 minutash. Me Besnikun, i them, të shkojmë se mos ka të plagosur. Dhe u nisëm drejt konvikteve. Takojmë një grup, po me Azemin, të tronditur, me hematoma, të mavijosur, por të pamposhtur, përsëri.
Më kërkuan, a mund të na përfaqësosh? Jo, u thashë, unë përfaqësoj Sali Berishën, por unë ju mbështes ju. Por unë, ju mbështes ju, dhe ju mbështes fortë. Atëherë më kërkojnë, jemi të plagosur shumë, dhe kishim merak se, po keqtrajtoheshim në spitale.
Jo, i thashë unë, nuk do të keqtrajtoheni, me atë merrem, jam mjek, pedagog. Kemi të burgosur. Për ata nuk kam ç’tju them, nuk njoh në aparatin e burgjeve.
Më thonë: ne ora 3:30, do zbresim në shesh, pasi ishin bërë copë e pikë. Dhe ta dinë ata, se në atë shesh gjë mbi tokë nuk do të lëmë. Trima si ata nuk kishte. E vërteta ishte se, ky ishte ultimatumi i parë që Ramiz Alia kishte marrë në jetën e tij dhe diktatura, dhe diktatura kishte marrë në jetën e tij nga protestuesit.
Nuk dua të bëj këtu historinë e tyre, por ata ndanë epoka me lëvizjen e tyre. Ndarjen e epokave rrallë i takon njerëzve t’i përjetojnë. Ata vërshuan në mbarë vendin dhe mbollën kudo pemën e pluralizmit, themeluan PD. Organizuan grevën epike të urisë, po në këtë qytetet në atë ndërtesë që sot e bllokon diktatura.
730 e studentevë u ngujuan për të çliruar shqiptarët nga kurthi më i keq që ata kishin përjetuar në të gjitha kohërat, kurthi i Enver Hoxhës, dhe fituan
Elisa Spiropali
8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.
Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”, ishte më e fortë se çdo parullë, kongres, anti-miting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.
Sot ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030.
Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!
Jorida Tabaku
Rinia sot është si Shqipëria sot: më e varfër, në ikje, e zbrazur nga potenciali i saj më i çmuar. Sot, një e treta e të rinjve janë pa punë, dhe 40% e forcës aktive, kryesisht e përbërë nga të rinj, janë larguar nga vendi. Universitetet janë gjithnjë e më të zbrazura, klasat mbyllen dhe një mungesë e theksuar e shpresës reflektohet në gjendjen e rinisë shqiptare.
Rinia shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm. Të rinjtë tanë shkëlqejnë në fusha të ndryshme si biznesi, akademia, mjekësia apo shkenca. Por, për fat të keq, suksesin e arrijnë jashtë kufijve të vendit. Shqipëria nuk po arrin t’i mbajë, t’i integrojë dhe t’i përfshijë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore.
Para 34 vitesh, më 8 dhjetor 1990, të rinjtë ndryshuan sistemin me forcën, energjinë dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm. Partia Demokratike, forca e parë opozitare, u ndërtua mbi mbështetjen e rinisë dhe e sheh atë ende sot si motor të ndryshimit të vendit. Në këtë Ditë të Rinisë, le të kujtojmë potencialin e pamatë që ka rinia jonë.
Fakti që sot rinia është duke u larguar, duhet të na nxisë të ndryshojmë situatën jo vetëm për brezin aktual, por edhe për brezat që vijnë. Është detyra jonë të krijojmë kushte që të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë këtu. Shqipëria ka një rini të jashtëzakonshme, një thesar të paçmuar që mund të bëjë ndryshime të mëdha.
Të rinjtë tanë ia dalin kudo, por qëllimi është që ata të shkëlqejnë këtu, në vendin tonë. Ne duhet t’u japim hapësirë në vendimmarrje, në sipërmarrje dhe në çdo fushë tjetër, duke i trajtuar si partnerë të vërtetë dhe jo si dekor politik. Rinia nuk është vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e vendit.
Në politikë, në ekonomi, në arsim dhe administratë publike, përfshirja e rinisë do të sillte ndryshime rrënjësore. Ne duhet të krijojmë politika që i mbështesin të rinjtë, qoftë përmes fondeve për startup-e, përfshirjes në këshilla lokale e kombëtare, apo mbështetjes së ideve të tyre.
Unë kam një thirrje për të gjithë të rinjtë shqiptarë: bëni diferencën! Ashtu siç keni ndryshuar sistemin 34 vite më parë, mund ta ndryshoni edhe situatën aktuale. Ju jeni shtysa e çdo procesi, duke nisur nga ai politik e deri te integrimi europian. Besoj plotësisht se rinia shqiptare është ndër më të veçantat dhe më të mirat, jo vetëm në rajon, por në të gjithë botën.
Por është detyra jonë t’ju japim mundësinë që ju takon – një mundësi për të ndërtuar një Shqipëri të re, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Nuk duhet t’ju kujtojmë vetëm në Ditën e Rinisë, por çdo ditë, sepse ju jeni forca integrale e këtij vendi.





