Subscribe

“Zero tolerancë për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid.”

Kështu deklaroi kreu i policisë së shtetit Ardi Veliu gjatë një inspektimi që bëri në zonën e Tiranës së Re. Ai paralajmëroi gjoba për të gjithë qytetarët që refuzojnë të mbajnë maskë në rrugë si dhe për bizneset që nuk respektojnë fashën orare të vendosur nga komiteti i ekspertëve.

 

ARDI VELIU – DREJTOR I POLICISË SË SHTETIT

Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid, nuk vendosin maska, nuk respektojnë distancimin social dhe detyrimet e përcaktuara në  e-Albania, për sa i përket distancave në lokal dhe oraret e mbylljes së lokaleve. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe bizneseve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë me seriozitet për të ndëshkuar çdo qytetar i cili nuk respekton këto rregulla.

 

Veliu kërkoi nga vartësit e tij që të shtojnë kontrollet në terren pasi rastet me covid po rriten ndjeshëm.

 

Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë.

 

Vetëm gjatë javës që lamë pas u konfirmuan pozitiv me virusin sars cov2 rreth 7200 qytetarë, ndërsa humbën jetën 80 të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *