Mërtiri: Rama kërkon kontroll mbi territorin, jo përmirësim të shërbimeve për qytetarët

Reforma e re administrativo-territoriale u miratua me 85 vota pro, duke e çuar në 46 numrin e bashkive në vend, nga 61 që janë aktualisht. Ndryshimet parashikojnë bashkimin e disa bashkive me njëra-tjetrën, krijimin e një njësie të re administrative dhe riorganizimin e pushtetit vendor në disa qarqe të vendit.
Analisti Ergys Mërtiri, në një lidhje të drejtëpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhiu tha se miratimi i reformës rrezikon të thellojë centralizimin dhe të largojë më tej qeverisjen nga qytetarët.
Mërtiri u shpreh se Shqipëria ka nevojë për ndryshime ligjore që garantojnë më shumë pavarësi të pushtetit vendor nga qeveria qendrore, dhe jo thjesht për riorganizim territorial.
Sipas tij, projekti i mazhorancës synon më shumë kontroll mbi territorin dhe buxhetet vendore sesa përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
INTERVISTA E PLOTË:
A ishte një nevojë administrative për të ndryshuar ndarjen e territorit, apo ishte një vendim politik elektoral?
Ergys Mërtiri: Në fakt ka nevojë për të ndryshuar ligjin mbi pushtetin vendor dhe për të ndryshuar realisht kushtet që pushteti vendor të ketë më shumë pavarësi nga pushteti qendror. Nuk kemi nevojë për ndryshime hartash dhe unë nuk besoj që është reformë thjesht numri i njerëzve që bëjnë pjesë në një bashki. Përkundrazi, madje unë mendoj që kjo e përkeqëson situatën, megjithëse është e përkeqësuar edhe tani, sepse rritja e centralizimit dhe përqendrimi i pushtetit në disa vatra nuk i shërben arsyetimit pse ekziston pushteti vendor. Pushteti vendor është aty për shkak se ai zgjidh një gjë të rëndësishme, praninë, afërsinë e pushtetit apo qeverisjes me qytetarin, gjë që nuk e bën dot pushteti qendror. Grumbullimi i këtij pushteti vendor në pak zona thjesht rrit centralizimin dhe e largon qeverisjen nga qytetari. Në këtë kuptim, kjo është një regres.
Debatet midis qeverisë dhe opozitës janë, debate mbi modele të ndryshme të qeverisjes vendore, apo një përplasje për të kontrolluar politikisht territorin?
Ergys Mërtiri: Unë nuk besoj se është thjesht një përplasje për të kontrolluar politikisht territorin. Opozita në fakt nuk ka asnjë plan. Nuk është se ka një alternativë ndaj asaj që bën qeveria, por jam dakord që Edi Rama nuk e bën këtë për të rritur efiçencën në shërbime, por e bën këtë për të rritur kontrollin mbi territorin. Dhe kontrolli mbi territorin sipas Ramës është kontrolli mbi buxhetet që territori ofron, pra mbi taksat që qytetarët paguajnë për pushtetin vendor, të cilat grumbullohen në disa vatra që Rama i kontrollon më kollaj. Dhe po të shohësh, i gjithë projekti i Ramës nuk është i orientuar drejt qytetarit, por drejt aspektit ekonomik, pra jo ndaj aspektit të shërbimeve, dhe kjo tregon që në vizionin e Ramës qëllimi dhe shqetësimi është se si të menaxhojë ai buxhetet dhe jo që këto para apo këto shërbime të shkojnë tek qytetari.
A përfiton diçka potencialisht Partia Socialiste nga kjo ndarje e re elektorale, ose thënë ndryshe, a rrezikon të humbasë diçka Partia Demokratike nga ky rivizatim?
Ergys Mërtiri: Unë nuk besoj se ka ndonjë dallim të madh midis dy partive, sepse diferenca në vota është aq e madhe saqë nuk besoj që Rama ka nevojë për këtë ligj elektoral për të triumfuar mbi Partinë Demokratike. Sigurisht Rama ka një shqetësim nëse nuk bën dot 51 përqind dhe në kushtet kur, nëse kemi një pol të tretë, mund të krijohet një situatë ku askush nuk del dot fitues. Kjo sigurisht do të ishte problem shumë i madh për Ramën, por nuk besoj që Rama ka shqetësim apo frikë nga opozita në këtë rast, që është Partia Demokratike. Ai do të kishte frikë nga një opozitë e re apo nga kapitalizimi i votave të elektoratit gri, të cilat mund të krijojnë një situatë që Ramën nuk e nxjerr fitues.
Opozita paralajmëroi sigurisht ta vijojë betejën kundër kësaj reforme, kundër këtij vendimi që u mor tashmë. Çfarë mundësish ka opozita? Ka paralajmëruar sigurisht goditjen në Kushtetutë, thotë që do të përpiqet të organizojë një referendum. Po çfarë ka në dorë tjetër nga sot deri në zgjedhjet që janë jo më larg se shtatë apo tetë muaj?
Ergys Mërtiri: Unë mendoj që opozita nuk është se ka diçka serioze në këtë mes. Pohimi se do ta çojë këtë në Gjykatën Kushtetuese është thjesht për ta shitur situatën sikur nuk është një humbje përfundimtare, por në fakt opozita tashmë as që e ka më në projektet e saj këtë çështje, ajo do të shikojë hallet e veta. Sigurisht zgjedhjet janë një prej halleve kryesore që ka përballë. Kështu që kjo çështje ka marrë fund këtu. Vlen të shohim vetëm nëse ky ligj, tashmë i përkeqësuar mendoj unë, do të shoqërohet me ligje të tjera që të paktën këto bashki të reja që do të krijohen të kenë shkëputje, distancë apo pavarësi të plotë nga pushteti qendror. Kjo mendoj se është çështja themelore që duhet parë për më vonë, sepse sido që të jetë kjo hartë e re, duhet shoqëruar me një ligj i cili ofron mundësi reale për pavarësi të pushtetit vendor. Duket se Rama nuk e ka këtë vullnet, sepse prej kohësh ai ka shfaqur tiparet e një lideri i cili kërkon të kapë pushtete që nuk i takojnë, jo më të japë edhe aty ku ka mundësi. Megjithatë, beteja e ardhshme e opozitës duhet të jetë për të ofruar një projektligj i cili do të krijonte këtë mundësi për t’ia shkëputur Ramës këto pushtete nga dora.




