Po arratisej drejt Gjermanisë me tren, kapet në Itali 64-vjeçari shqiptar i kërkuar prej 9 vitesh

Një 64-vjeçar shqiptar, i kërkuar prej vitit 2015, është arrestuar në stacionin hekurudhor të Brennerit, ndërsa tentonte të largohej nga Italia me një tren ndërkombëtar me destinacion Gjermaninë.
I kërkuar nga Autoriteti Gjyqësor i Firencës për gati një dekadë, shqiptari po udhëtonte pa u dukur, por gjatë një kontrolli rutinë të Policisë Hekurudhore, u kap dhe u verifikua si një person i shpallur në kërkim, i dënuar me burgim për shkelje të ligjit italian. Sipas urdhrit të Prokurorisë së Firencës, atij i kishin mbetur 1 vit, 7 muaj dhe 24 ditë burgim për të vuajtur.
Sipas mediave italiane, shqiptari kishte dalë nga burgu në mars të vitit 2015, por disa javë më vonë u dëbua nga Italia për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri, megjithatë sipas ligjit ai nuk duhej të kthehej në Itali për 10 vite.
Pas identifikimit, ai nuk ka bërë rezistencë dhe ka bashkëpunuar me autoritetet. Aktualisht, është dërguar në Gjykatën e Bolzanos për të kaluar procedurat e nevojshme ligjore.
Operacioni u realizua javën e kaluar, por u bë i ditur për publikun vetëm sot.




