E martë, 13 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Piktura e Van Gogut ekspozohet pas më shumë se 60 vitesh, pritet të shitet për 180 milionë dollarë

Qindra njerëz u mblodhën në Hong Kong për të parë nga afër një pikturë të rrallë të Vincent van Gogh, e cila nuk ishte ekspozuar publikisht prej më shumë se gjashtë dekadash. Vepra pritet të dalë në ankand më 18 nëntor në Nju Jork, me një vlerë të parashikuar shitjeje deri në 180 milionë dollarë.

Piktura, e titulluar “Châtaigniers en fleurs” (“Gështenjat në lulëzim”), u realizua në maj të vitit 1890 dhe konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të periudhës së fundit krijuese të piktorit holandez.

Reklamë

Në atë kohë, Van Gogh jetonte në fshatin francez Auvers-sur-Oise, ku ndërroi jetë rreth dy muaj më vonë, në moshën 37-vjeçare.

Sipas Scott Nussbaum, drejtues në departamentin e artit modern dhe bashkëkohor të shtëpisë së ankandeve Sotheby’s në Nju Jork, piktura ka potencialin të thyejë rekordin e çmimit për një vepër të Van Goghut të shitur në ankand.

Reklamë

Ai theksoi se tabloja pasqyron një periudhë të karakterizuar nga optimizmi, energjia, entuziazmi dhe përdorimi intensiv i ngjyrave në krijimtarinë e artistit.

Piktura paraqet një gështenjë të madhe në lulëzim, kurora e dendur e së cilës zë pjesën më të madhe të kompozimit.

Mes vizitorëve ishte edhe 50-vjeçarja Li Shanshan, e cila udhëtoi rreth dy orë e gjysmë nga qyteti Shenzhen, në jug të Kinës, për të parë veprën nga afër.

“Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për këtë pikturë, ndaj doja ta shihja me sytë e mi”, u shpreh ajo.

Vepra do të dalë në ankand së bashku me 11 piktura të tjera që gjithashtu nuk janë ekspozuar publikisht për një periudhë të gjatë. Koleksioni përfshin punime të artistëve të njohur Paul Cézanne dhe Claude Monet.

Pesë prej veprave u prezantuan në fund të shtatorit në ambientet e Sotheby’s në Londër, mes tyre “Arlekin” i Cézanne dhe “Kopshti i Tuileries” i Monet.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.