Që në orët e para të mëngjesit ka patur sërish të shtëna me armë mes forcave afgane të sigurisë dhe sulmuesve të panjohur, në portën veriore të aeroportit të Kabulit.

 

Një oficer i sigurisë afgane u vra dhe tre të tjerë u plagosën ndërsa situata me evakuimet vijon të mbetet kaotike.

 

Presidenti Xho Bajden deklaroi se departamenti amerikan i shtetit po punon për të përshpejtuar procesin duke zgjeruar perimetrin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë kërkuar ndihmën e gjashtë linjave ajrore tregtare për të transportuar njerëz.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA

” Nuk ka asnjë mënyrë për të evakuuar kaq shumë njerëz pa dhimbje dhe pamjet zemërthyese që shihni. Ne kemi bërë ndryshime, duke përfshirë shtrirjen e zonës së hyrjes përreth aeroportit  apo zonës së sigurt. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe shumë gjëra akoma mund të shkojnë keq. Por besojmë se do t’ia dalim me sukses deri në fund të muajt gusht. Prioriteti ynë mbetet i qartë, të gjithë ata që duan të largohen nga Afganistani, do të evakuohen sa më parë dhe të sigurt.”

 

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi aktivizimin e Flotës Ajrore të Rezervës Civile për të ndihmuar evakuimin. Kryeministri britanik Boris Johnson ka thirrur një takim urgjent të martën të udhëheqësve të G7 – shtatë ekonomive më të mëdha në botë, duke thënë se është jetike që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku për të siguruar evakuime të sigurta, për të parandaluar një krizë humanitare.

 

Ndërkohë kryeministri i Sllovenisë, vendi qe aktualisht mban presidencën 6-mujore të BE-së, deklaroi se blloku nuk do të hapë asnjë korridor europian humanitar ose migracioni për Afganistanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *