Partia Demokratike ka akuzuar kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi sipas tyre sipas nën drejtimin e tij, në Tiranë qytetarët furnizohen më pak orë në ditë me ujë.

 

Ish-deputetja Albana Vokshi përmes një deklarate për mediat ka sjellë disa denoncime të cilat thekson se kanë mbërritur në PD, nga disa banorë në disa lagje të ndryshme të kryeqytetit, ankohen se po furnizohen gjithnjë e më pak me ujë.

 

Vokshi ka akuzuar Veliajn se nuk ka investuar në Ujësjellës Kanalizime Tiranë, duke theksuar se të gjitha paratë u kanë shkuar miqve të kryebashkiakut.

 

“Problemi i mungesës së ujit nuk është vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Denoncimet vijnë, jo vetëm nga Yzberishti, Astiri, Ali Demi, Lapraka, Uzina e Autotraktorëve, por edhe nga rruga ”Sami Frashëri”, zona e “Myslym Shyrit”, zona e Bllokut etj. Nuk mjafton kjo, por qytetarët ankohen se uji vjen i ndotur në rubineta në rrezik shpërthimi epidemish. Sipas stafit të UKT, nuk ka prioritete, nuk ka hot-spote (pika ku duhet të ndërhyhet menjëherë), nuk ka plane veç çfarë të dalin më parë mundësitë për të zhvatur! Çdo ditë në Tiranë, në çdo lagje të saj, shihen qytetarë të lodhur, të dëshperuar, që presin me orë depozitat me ujë që transportohen nga kompani klientë të Erjon Veliajt. Praktikisht Tirana e merr ujin, një nevojë bazike, tashmë me tollon, njëlloj siç ndodhte me ushqimet bazike në kohën e Enverit.  Por, Erjon Veliaj as nuk skuqet, as nuk zverdhet kur mashtron. Mashtrimin e ka bërë profesion të parë. Të gjithë e kujtojmë premtimin – mashtrim të madh të tij që në fushatën e 2015 kur premtoi 24 orë furnizim me ujë dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve që e shëmtonin Tiranën.Veliaj nuk ka përtuar ta përsërisë cdo vit këtë mashtrim sa herë bënte lajmet shoë për t’i shpërndarë më pas në kaseta të gatshme në cdo televizion kombëtar apo lokal. Në 2 shkurt 2016, në analizën e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë premtoi përmirësim të furnizimit me ujë pa e rritur cmimin e ujit, por vetëm duke e “mirëadministruar ndërmarrjen”.  Por vetëm pak muaj më vonë, mashtruesi Veliaj, deklaroi që do ta rriste çmimin e ujit për cdo familje e për çdo biznes në Tiranë pasi nuk kishte para për investime.  Është ERRU, institucion i pavarur, që në Raportet e Përformancës vjetore për ujësjellësit hedh poshtë këto mashtrime të kryebashkiakut. Sic edhe duket nga grafiku që shihni në ekran, Erjon Veliaj e mori Ujësjellës Kanalizime Tiranë me gati 11 orë furnizim ujë në ditë, dhe sot, 4 vjet pasi u ul në karriken e kryebashkiakut dhe 2 vjet pasi rriti cmimin e ujit, kohëzgjatja e furnizimit me ujë është e përkeqësuar.”

 

Gjithashtu ish-deputetja ka thënë se rreth 20 mln euro kanë shkuar për shpenzime luksi të zyrtarëve, duke nënvizuar se midis shpenzimeve gjen edhe 14 mijë euro bileta dhe hotel në Miami, apo 7500 euro për një udhëtim në Kinë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *