Kryetari i “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi përjashton çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor PS dhe PD, të cilët i quan përgjegjësit kryesorë të krizës, duke i konsideruar ata kundërshtarë politikë të kësaj fushate.

Sipas Patozit, këto dy parti, jo vetëm kanë shkaktuar gjendjen e rëndë, por edhe kanë dhënë të gjitha provat se ka ardhur dita të ndëshkohen për atë që kanë shkaktuar.

“BINDJA DEMOKRATIKE DO TË GAROJË ME LISTË TË HAPUR. (Ja cilët janë kundërshtarët dhe partnerët tanë të mundshëm për zgjedhjet e 25 prillit). Në një takim të zgjeruar të përfaqësuesve të saj nga i gjithë vendi, Bindja Demokratike vendosi sot të nisë rrugëtimin final drejt zgjedhjeve të 25 prillit, duke e konsideruar fushatë elektorale të gjithë kohën e mbetur deri atë ditë, përmes takimeve të drejtpërdrejta me zgjedhësit dhe aktiviteteve të tjera politike. Ne e cilësojmë antidemokratik dhe antikushtetues Kodin Elektoral të miratuar në mënyrë të njëanshme në parlament dhe si një goditje të qartë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E gjithë kjo situatë ka ardhur si produkt i politikës së vjetër të dy blloqeve PS dhe PD, ku përgjegjësia më e madhe i takon “Rilindjes” së Edi Ramës, e cila më 30 korrik votoi për hapjen e listave, ndërsa disa muaj më vonë për mbylljen de facto të tyre.”

Patozi shprehet se vendi ka nevojë për ndryshim të thellë dhe ai nuk mund të vijë me stanjacionin e Ramës, por as me rotacionin e Lulzim Bashës.

“Ndërkohë, jemi të hapur të bëjmë aleanca apo koalicion me çdo forcë politike të re ose të pakompromentuar, që mbështet apo përqafon kauzën tonë për rrëzimin e kryetarokracisë, si të vetmen mënyrë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri”, theksoi Patozi.

Për pasojë, ai fton çdo parti, lëvizje dhe organizatë të shoqërisë civile që të bëhen bashkë në një front të vetëm kundër politikës së vjetër, sipas të cilit, synon të mbajë peng ende Shqipërinë edhe pas dekadash me dështime dhe skandale.

“Me gjithë pabarazinë dhe kushtet diskriminuese, me të cilat po shkohet drejt 25 prillit, Bindja Demokratike është e vendosur të arrijë një rezultat përcaktues në këto zgjedhje. Besimi ynë në sukses mbështetet tek vizioni i duhur politik, që shkon në krah të interesit publik, tek përzgjedhja e ekipit më të mirë për ta përfaqësuar atë në terren, si dhe nga forca e shqiptarëve të zemëruar me aktorët e konsumuar. Duke u zotuar se do të kemi kandidatët më të mirë dhe më seriozë si ofertën tonë për qytetarët shqiptarë në çdo qark të vendit, ne kemi vendosur që secili prej tyre t’i nënshtrohet rregullave të listës realisht të hapur në garën brenda nesh, si një përgjigje ndaj Kodit Zgjedhor të Edi Ramës.  Në këtë kontekst, pranimi paraprakisht i vendimit që mandatet tona do t’i marrin vetëm ata, të cilët kanë marrë më shumë vota se të tjerët, pavarësisht renditjes në listë, është kusht i panegociueshëm për këdo që do të kandidojë me siglën e Bindjes Demokratike. Duke filluar nga koordinatori e deri tek kandidati më i fundit në radhë, të gjithë do të jemi të barabartë në garë dhe përfaqësimin tonë në parlament do ta vendosin vetëm qytetarët.”

Patozi theksoi se Bindja Demokratike nuk e ka vetëm kauzë për të ardhmen listën e hapur, por do ta shndërrojë atë në një praktikë reale.

“Mbledhja vendosi që brenda muajit të ardhshëm të përgatitet dhe të publikohet programi minimal për qeverisjen e ndryshimit si dhe tezat kryesore të fushatës, që do të përbëjnë edhe bazës e arsyeve se përse qytetarët shqiptarë duhet të votojnë alternativën tonë më 25 prill.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *